Gani Osmani: Sindikata e Trepçës është e kënaqur me bordin e ri

Prishtinë | 07 Mar 2020 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Pas raportimeve se Sindikata e Trepçës është e pakënqaur me bordin e ri të zgjedhur më datë 06.03.2020 nga Qeveria, kryetari i kësaj Sindikate Gani Osmani e ka demantuar një gjë të tillë.

Ai për Klan Kosovën ka bërë të ditur se është krijuar një grup prej 11 inxhinierëve që po pretendojnë kinse e kanë krijuar një sindikatë në vete dhe të cilët po e kundërshtojnë borin e ri, që sipas Osmanit, nuk kanë legjitimitet.

Ndërsa sa i përket Sindikatës Trepça me Flotacion Stantërg, kryetari Osmani ka theksuar se përbëhet prej 640 punonjësve që paguajnë anëtarësi.

“Ne i përfaqësojmë dhe kemi  110 anëtarë nga sigurimi fizik, e kemi elektrolizën e zinkut me 31 punëtorë, i kemi edhe tre përfaqësues në Skenderaj në fabrikë të municionit, edhe një numër prej 10-12 nga Administrata e Trepçës në Bord. Kështu ne i kemi në dokumente 640 anëtarë që paguajnë anëtarësi”.

“Për përfaqësues të punëtorëve, ne sindikatat e kemi propozuar Shyqri Sadikun. Janë mbledhur 11 nënshkrime prej kryesisë së Sindikatës në Trepçë, pastaj ka qenë nënshkrimi i fabrikës së procesit të pajisjeve. Ka nënshkruar përfaqësuesi i Kishnicës, përfaqësuesi i metalurgji-zinkut edhe përfaqësuesi i sigurimit fizik, përfaqësuesi i fabrikës së akumulatorëve që të jenë 16 nënshkrime gjithsej”.

“Kur është shkarkuar bordi i Trepçës nga Qeveria – i ka shkarkuar komplet – unë si kryetar i Sindikatës e kam shprehur një pakënaqësi përmes Facebook-ut. Pakënaqësia ka pasur të bëjë veç për anëtarin tonë që e kemi propozuar dhe jo për të tjerët”.

“Tash kur është zgjedhur bordi i ri, ne si sindikatë jemi të kënaqur me të sepse konsiderojmë se është i përbërë prej ekspertëve. Sa i përket përfaqësuesit tonë, ai vetëm e ka vazhduar punën e tij si e ka pasur”.

“Tash ka disa pakënaqësi – janë një grup i inxhinierëve që janë të pakënaqur, po thonë se e kanë formuar një sindikatë në vete. Shqetësimi ynë është se nuk mund të ankohet dikush në emër të punëtorëve kur nuk ka legjitimitet dhe ka të anëtarësuar vetëm një punëtorë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme