Gara e Kuzhinierëve mbahet për 4 ditë në Prishtinë – pjesëmarrësit vlerësohen nga një juri ndërkombëtare

Prishtinë | 12 Jan 2023 | 13:03 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) ka mbajtur konferencë për medie, në lidhje me organizimin e Garës së Kuzhinierëve. Kjo garë si e tillë organizohet për herë të parë në Kosovë dhe sipas organizuesve është tërësisht profesionale, raporton Ekonomia Online.

Në këtë garë e cila do të mbahet nga data 20 deri me 24 janar do të marrin pjesë më shumë se 100 kuzhinierë të cilët do të vlerësohen nga juria ndërkombëtare profesionale e përbërë nga shefa të kuzhinës që e kanë titullin “Michelin Star”.

Kryetari i OHTK-së Hysen Sogojeva, tha se në këtë garë do të shpërblehen 3 kuzhinierët më të mirë.

Sipas tij, organizimi i kësaj gare është bërë me qëllim që arrihet edhe një standard në gastronomi dhe hotelerinë në Kosovë.

“Qëllimi i këtij takimi është që të zbërthehen të gjitha anët e një organizimi që e ka filluar OHTK-ja me rastin e garave të kuzhinierëve si dhe shpalljen e tre kuzhinierëve në Kosovë. E veçantë e kësaj është se për herën e parë është një organizimi i tillë dhe e dyta është se juria është ndërkombëtare nuk është vendore. E kemi filluar këtë iniciativë që të arrihet edhe një standard në gastronomi dhe hotelerinë në përgjithësi”, tha ai.

Sadik Maqedonci, drejtor në OHTK tregoi se cilat do të jenë çmimet në këtë garë, duke sqaruar se për shkak të kërkesave të mëdha aplikimi është shtyrë deri me 15 janar.

“Iniciativa e kësaj gare ka qenë e drejtorit Visar Demolli. Juria do të jetë ndërkombëtare me përbërje të Faruk Neziri kryetar jurie kuzhinier nga Maqedoni i cili jeton dhe vepron në Itali. Naim Bashmili nga Shqipëria, Vladko Ognenovski nga Maqedoni dhe Skënder Hekuri nga Shqipëria. Aplikacioni ka qenë deri më 10 janar, por e kemi shtyrë deri me 15 janar për shkak të interesimit të madh dhe mundësisë së aplikimit të kandidatëve. Pjesëmarrja do të jetë vetëm për 50 kandidatë, kjo për shkak të mundësive”.

“Të gjithë pjesëmarrësit do të certifikohen, do të jenë tre çmime, vendi i parë medalja e artë, do të jetë një skarë për përdorim shtëpiak, edhe do të ketë vlera monetare që do t’i shikojmë në përfundim të aplikacionit para fillimit të garës ne bazë të donacioneve që do t’i mbledhim. Vendi i dytë do të ketë medaljen e argjend, certifikatën, të tri vendet do ta marrin edhe nga një set të thikave në vlere deri në 800 euro. Vendi i tret do të ketë medaljen e bronztë edhe certifikatën. Vendi i dytë do të ketë edhe një vikend në Shqipëri”, tha ai.

Gara do të fillojë me 20 janar në ora 09:30 ku do të marrin pjesë edhe krerët e lartë të shtetit, ndërsa në ditët tjetra gara fillon nga ora 09:00 deri ora 16:00.

Të ngjashme