Shefi i grupit të Asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Agim Gashi, e ka quajtur gënjeshtar kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Gashi ka thënë për Ekonomia Online se deklarimet e Shpend Ahmetit për kinse shfrytëzimin e banesës komunale nga ai janë të pavërteta. Madje ai ka kërkuar nga Ahmeti që t’ia dorëzojë çelësat e banesës për të cilën ai pretendon se e ka në pronësi.
“Unë kërkoj nga kryetari Shpend Ahmeti që të ma jep çelësin e banesës, se ai ka thënë që edhe Agim Gashi ka banesë të përfituar nga banesat kolektive. Ata nuk më kanë fajësuar vetëm mua, por edhe kryesuesin Halimi, e edhe disa asamblist të tjerë. Por për largimin e tyre vendimet nuk i merr as kryeministri, as presidenti, as kryetari i komunës, por krejt kjo shkon me votën e Kuvendit Komunal. Fuqinë për krejt këtë proces e ka Kuvendi Komunal”, ka thënë Gashi për Ekonomia Online.
Komuna e Prishtinës do t’i largojë nga banesat komunale në lagjen “Bregu i Diellit” familjet të cilat nuk janë raste sociale dhe invalidë të luftës.
Në këto banesa sipas drejtorit të Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, banojnë asamblistë të PDK-së, Shemsi Veseli, dhe ai i LDK-së, Muhamet Gashi, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Halim Halimi si dhe anëtarë të tjerë të LDK-së, që sipas tij, “i kanë marrë banesat me anë të pushtetit”.