Çështja e postit të presidentit ka mbetur problemi kryesor që LDK-ja e VV-ja, ende nuk po mund të arrijnë një marrëveshje për koalicionin e ardhshëm qeverisës.
E derisa LDK-ja, insiston në këtë pozitë, avokati Tomë Gashi thotë për Ekonomia Online se pikësynimi i postit të presidentit nga kjo parti ka të bëjë me pazare politike.
Sipas tij, kërkesa e tyre është e panevojshme.
“Meqenëse parti fituese është VV-ja, asaj në bazë të ligjeve, Kushtetutës i takon që ta ketë kryeministrin dhe kryeministër i ardhshëm definitivisht do të jetë Albin Kurti , ndërsa kalkulimet apo të themi në gjuhën e popullit, pazaret që është duke tentuar t’i bëjë LDK-ja duket që tani më është ka fundi i këtyre pazareve apo negociatave, meqenëse kërkesa e tyre totalisht e panevojshme shumë e hershme është pikësynimi kryesor që të kenë një zotim nga VV-ja që presidenti i ardhshëm që do duhej të zgjedhje në vitin 2021, të jetë ai që do të propozohet nga LDK-ja”, thotë Gashi për Ekonomia Online.
Gashi kërkesën e LDK-së për president po e konsideron si “lojë politike” të cilës thotë se shpejt do t’i vjen fundi.
Sipas tij atyre po i dhimbsen kolltukët pasi nuk do të jenë në pozitat të cilat kanë qenë më herët.
“Mendoj që loja politike e LDK-së është veç në fund dhe edhe pse zyrtarët me moshë të re një pjesë e zyrtarëve të rinj të LDK-së janë duke e pranuar kushtet që negociatat me VV-në për formimin e një qeverie e cila nuk do duhej të kishte vetëm një mandat por së paku dy mandate por duke se janë disa që i kanë betonuar pozicionet e tyre për shkak të përfitimeve personale dhe duket që kolltuqet janë duke iu dhimbsur shumë që nuk do të jenë në pozita ku kanë qenë më herët”, thotë Gashi.
Gashi thotë se LDK-ja nuk do duhej të vepronte në këtë mënyrë, pasi që mund të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Ai vlerëson se LDK-ja duhet të pranonte kushtet e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Besoj qe LDK-ja nuk do duhej të vepronte kështu, LDK-ja do duhej të pranonte kushtet e VV-së dhe jo që të qet kushte që mund të dërgojnë edhe në zgjedhje të përsëritura të parakohshme sepse në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nëse VV-ja si fituese e zgjedhjeve nuk dëshiron të jap emrin e kryeparlamentarit atëherë definitvisht pas tentimit të dytë që mund të bëhet do shkojmë në zgjedhje të përsëritura që askush nuk do ta donte”, u shpreh ai.
Megjithatë, Gashi mendon se këto dy parti do të arrijnë marrëveshjen për të qeverisur së bashku pikërisht në ditën e Krishtlindjeve.
“Definitivisht e kanë ditën e krishtlindjeve si ditën e fundit që do duhej dhe besoj që do të arrijnë marrëveshje për të qeverisur së paku për katër vite e ardhshme sepse me 24 dhjetor janë krishtlindjet me 25 nuk punohet dhe 26 është ditë pune ku presidenti ka caktuar seancën në parlamentin e Kosovës. Kështu që dita e Krishtlindjeve mund të jetë ditë që do të shpallen faktikisht që qeveria e re është formuar, qeveria do të jetë në mes të VV-së dhe LDK-së dhe kjo duket që është çështje e kryer mirëpo është negocimi është një presion i LDK-së që ja vënë fituesit të zgjedhjeve VV-së që të fitojë poste sa më shumë që është e mundshme por nëse së paku disa ministri nuk do ti ketë VV atëherë do jetë paksa e vështirë të realizojë plan-programin me të cilin kanë fituar zgjedhjet”, theksoi Gashi.
Të enjten edhe dy deputetët e Bundestagut gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt, kanë kërkuar nga VV-ja dhe LDK-ja të gjejnë një zgjidhje, të caktojnë një datë dhe të përfundojnë marrëveshjen.