Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka folur rreth zhvendosjes së ministrisë në Prizren.
Ai ka thënë se po presin komunën e Prizrenit që t’ua jap objektet për zhvendosjen e ministrisë, raporton Ekonomia Online.
“Po e presim një vendim të autoritete lokale për me na dhënë në shfrytëzim objektet për zhvendosjen e ministrisë. Besoj që shumë shpejtë do të merret një vendim i tillë nga autoritetet lokale dhe ne dal ngadal do të fillojmë procedurat për zhvendosje”.
“E kam thënë edhe më heret, po e përsëris edhe tani, ministria do të funksionojë edhe në Prishtinë dhe në Prizren, por disa departamente do të barten në Prizren dhe kështu do të kemi një mundësi edhe më të mirë të jemi afër edhe aseteve të trashëgimisë por edhe të gjithë atyre që kanë nevojë për ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, tha ministri Gashi.
Në anën tjetër, drejtuesit e komunës së Prizrenit kanë thënë se procesi i dhënies së objekteve në shfrytëzim për ministrinë e Kulturës kërkon kohë, sa i përket edhe kompletimit të dokumentacionit.
Gashi kishte paralajmëruar se një pjesë e kabinetit të tij do të zhvendoset gjatë muajit shkurt.