Gashi rrëfen përplasjen me Daçiqin: E quajti Prizrenin kryeqytet serb, ia treguam vendin

Prishtinë | 17 Maj 2022 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kanë qenë të ftuar në Kretë të Greqisë ku prezent ishte edhe kryetari e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, në takimin e Komitetit për Politika të Këshillit të Evropës.

Gashi i LDK-së tha se me Daçiqin i kanë diskutuar tri tema. Njëra prej tyre ka qenë rreth legjitimitetit të Pavarësisë së Kosovës, teksa ai tha se ia ka bërë me dije Daçiqit që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka thënë fjalën e vet lidhur me këtë.

Mes tjerash, ligjvënësi i Kuvendit të Kosovës bëri me dije se kolegia e tij, Saranda Bogujevci, i ka thënë në sy kryetarit të Parlamentit serb se “regjimi i tij ia ka vrarë pothuajse krejt familjen”.

Në këtë takim, Kosova pati një prezantim të dinjitetshëm, potencoi Gashi.

Deputeti Gashi tha se gjatë këtij takimi pati ballafaqim me Daçiqin “i cili me retorikën e Millosheviqit tentoi ta delegojë Kosovën dhe të arriturat e saj”.


“Nuk kemi bo kurrgjë të jashtëzakonshme, e kemi bërë punën tonë si deputetë. Ne si vend përfaqësohemi prej delegacioneve jo si mysafirë, pasi s’jemi anëtarë të KiE, por kemi të drejtën e fjalës dhe propozimeve”.

Gashi tha se “kemi kërkuar që Kosovës t’i lejohet fryma gjithëpërfshirëse si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Bashkimin Evropian”.

“Në këtë takim patëm një ballafaqim me kryetarin e Parlamentit të Serbisë, i cili me retorikën e tij tipike të regjimeve të Milloshoqevit tentoi të delegojë Kosovën dhe të arriturat e saj. Ajo çka ne kërkuar është që Kosovës t’i lejohet frymë gjithëpërfshirëse që diskutuam dhe gjithashtu fryma e pjesëmarrjes. Në këtë sesion u diskutua për idenë për vlerat që përfaqëson KiE. Kërkuam që si mund të kemi multilateralizëm në BP nëse Kosova nuk është e përfshirë. Si mund të flasim për vlerat e përbashkëta nëse s’jemi të përfshirë”, raporton Paparaci.

“Tri temat që i përplasem me Daçiqin ishin legjitimiteti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Unë i thashë Daçiqit se shteti juaj ka dorëzuar një rast GJND kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe GJND ka vërtetuar se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Gashi theksoi se edhe Marrëveshja e Washingtonit bëri që dy palët të përplasen mes vete.

Ai i tregoi Daçiqit se një marrëveshje e tillë ka qenë në fuqi deri më 4 shtator të vitit të kaluar.

“I thashë që GJND ka potencuar që rasti i Kosovës është unik dhe s’mund të përdoret në raste tjera si precedent. Prandaj, iu luta audiencës ku ishin prezent ish-ministra e ish-kryeministra të vendeve të Evropës që ta kenë parasysh këtë. Po ashtu, Daçiq tha një të pavërtetë se Kosova po shkel Marrëveshjen e Washingtonit. I thashë se kjo është e pavërtetë dhe se kjo marrëveshje ka qenë në fuqi deri në 4 shtator të vitit të kaluar”.

“Besoj edhe zonja Bogujevci ka pasur një paraqitje jashtëzakonisht të mirë, duke biseduar pasi Daçiq në argumentin e tretë që e pati e pati se po përdoren standarde të dyfishta duke mos lejuar që Rusia të merr territore në Ukrainë kurse Serbisë po i merren territore. I thamë që kjo është e pavërtetë dhe s’mund të krahasohen kështu”, theksoi shefi i deputetëve të LDK-së.

Në rrëfimin e tij mbi këtë takim, Gashi tha se “Daçiq pretendoi se vjen nga kryeqyteti kulturor i Serbisë, Prizreni dhe është ndjekur aty”.

Më pas, shtoi se deputetja Bogujevci i tha se nuk duhet të personalizohen gjërat kështu sepse “po t’i personalizojmë unë vi nga një familje ku shteti dhe regjimi ku ju keni qenë pjesë personalisht ka vrarë pothuajse të gjithë anëtarët e familjes time dhe unë personalisht i kam 16 plumba në trup nga regjimi i shtetit tuaj”.

“Mendoj që kjo e qiti në pozicion të favorshëm delegacionin e Kosovës dhe shumica e anëtarëve treguan si nga aspekti profesional e njerëzor, e qiti Kosovën në avantazh dhe mendoj se ka qenë një prezantim i dinjitetshëm”, përfundoi Gashi në Kanal 10. 

Të ngjashme