Gati 500 të vrarë e mbi 10 mijë të arrestuar në protestat në Iran

Prishtinë | 12 Jan 2026 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Protestat që nisën më 28 dhjetor në Teheran, fillimisht si reagim ndaj situatës ekonomike, shpejt u shndërruan në thirrje të hapura kundër regjimit dhe udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Sipas Human Rights Activist News Agency (HRANA), demonstratat janë përhapur në 186 qytete dhe të 31 provincat e Iranit, duke u cilësuar si protestat më të mëdha të viteve të fundit.

Të dhënat e HRANA tregojnë se gjatë dy javëve të fundit janë vrarë rreth 496 protestues, mbi 10,600 persona janë arrestuar, dhe 48 anëtarë të forcave të sigurisë kanë humbur jetën. Një organizatë amerikane për të drejtat e njeriut raporton se numri i viktimave i afrohet 500, ndërsa burime brenda Iranit i kanë thënë BBC-së se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta.

Mjekët dhe stafi spitalor raportojnë spitale të mbingarkuara me të plagosur dhe trupa të pajetë. BBC Persian ka verifikuar se vetëm në një spital në qytetin Rasht, janë dërguar 70 trupa brenda një nate, ndërsa pamjet nga një morg pranë Teheranit tregojnë dhjetëra thasë mortorë.

Raportimi nga brenda vendit mbetet i kufizuar, pasi autoritetet kanë ndërprerë aksesin në internet dhe kanë ndaluar mediat e huaja të operojnë në terren, duke e bërë verifikimin e informacionit jashtëzakonisht të vështirë.

Udhëheqësi suprem iranian i ka cilësuar protestuesit si “trazovaçë”, ndërsa autoritetet kanë akuzuar SHBA-të dhe Izraelin për nxitjen e protestave. Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të po shqyrtojnë “opsione shumë të forta”.

Analistët e krahasojnë këtë valë protestash me ato të vitit 2022, pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgim, e cila shkaktoi një valë masive demonstratash ku, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, u vranë mbi 550 persona dhe u arrestuan rreth 20 mijë.

Të ngjashme