Gazetari estonez i quan monstra bustet e heronjve të UÇK-së (Foto)

Prishtinë | 24 Gus 2017 | 22:35 | Nga

Gazetari estonez, Rodion Denissov, i cili së bashku me bashkëshorten e tij Vera dhe kolegun letonez Juri Georgijeviq u arrestuan nga Policia e Kosovës pasi autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë pasur informacione se ata kanë ardhur për të shpërndarë propagandë pro-ruse, ka folur për mediat në Estoni duke thënë se vizita e tij në Kosovë ka pasur për qëllim vetëm bërjen e disa shkrimeve për natyrën e Kosovës.

Ai i ka thënë medieve atje se Kosovën e ka vizituar disa herë por nuk ka hasur asnjëherë në probleme.

“Këtë herë doja ta vizitoja disa miq të mi serb në Kosovë dhe planifikoja që të shkruaja disa artikuj për revistën time. Kam shkruar shpesh për Kosovën dhe këto storie kanë qenë shumë popullore”, ka thënë Denissov për gazetën “Delfi.ee”.

Denissov ka thënë se po qëndron tek disa miq të tij në Serbi dhe se të premten do të kthehet në Estoni

Denissov ka udhëtuar në Kosovë me bashkëshorten e tij dhe një gazetar letonez Juri Aleksejev i cili punon për kanalin RTKplus. Me ta ishin edhe disa gazetar rus nga Voogda por ata nuk ishin lejuar të hynin në Kosovë.

Të tretë thonë se kanë udhëtuar nëpër Kosovë për të parë stilin e jetës.

“Kemi vizituar kishat për shembull dhe kemi folur me priftërinjtë”, ka thënë Denissov.

Por në Facebook, saktësisht në profilin e tij në këtë rrjet social. Denissov ka shkruar shumë keq për Kosovën dhe saktësisht për monumentet e heronjve të luftës së fundit, UÇK-në.

Ai për mediat estoneze ka thënë se Policia e Kosovës i ka torturuar gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor duke i akuzuar si gazetar pro-rus, transmeton Insajderi.

Denissov ka thënë se i ka treguar Policisë së Kosovës se ai është gazetar evropian dhe se nuk ka asgjë të bëjë me Rusinë.

“Por ata nuk e kuptonin dhe thonin se po bëjë propagandë”, ka thënë ai.

Denissov ka kritikuar edhe Ministrinë e Jashtme të Estonisë.

“Asnjë diplomat nuk na ka kontaktuar. Sidoqoftë e kishim të ndaluar nga policia që të kontaktojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë Denissov.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës i ka detyruar ata që të nënshkruar një dokument në gjuhën shqipe edhe pse në fillim ata kanë kërkuar që të përkthehet.

“Pas kësaj na kanë liruar duke na dërguar tek kufiri me Serbinë”, ka thënë Denissov.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme