Gecaj thotë se tensione në veri do të ketë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare

Prishtinë | 05 Pri 2023 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i Sigurisë, Hysen Gecaj, thotë se dakordimet në Bruksel e në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pavarësisht qëllimit që kanë pasur për normalizimin e raporteve, këto nuk kanë sjellur me automatizëm qetësinë në aspektin e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Për incidentet e fundit që kanë ndodhur në veri të vendit, Gecaj thotë se kanë ardhur nga grupet kriminale, që i cilëson se janë dorë e zgjatur e politikës së Beogradit.

“Bisedimet që janë mbajtur në Bruksel dhe në Ohër, qëllimet i kishin për të qetësuar situatën dhe për të krijuar raporte të normalizuara mes dy vendeve, mirëpo kjo nuk sjellë me automatizëm edhe qetësinë në aspektin e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, për shkak se këto grupe kriminale që veprojnë në veriun e Kosovës, në një mënyrë janë dorë e zgjatur e politikës së Beogradit nuk janë ato thjeshtë në krye të vetit, ato të instaluara ose të lindura prej vetë popullatës aty, por thjesht janë instrument në dorë të presidentit Vuçiq”, ka thënë Gecaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Sipas Gecaj, trazira dhe eskalime të situatës në veri të vendit do të ketë gjithnjë, derisa do të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përderisa është kështu dhe bisedimet ende nuk kanë marrë formën e tyre të duhur do të kemi trazira, do të kemi edhe eskalime të situatës. Tani format dhe trajtës të cilat do të jenë ato mbetet të shihet dhe nuk do të thotë se do të jenë si në të kaluarën, mund edhe të ndryshojnë, por gjithsesi deri te një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të kemi trazira të këtij lloji”, shtoi ai.

Të ngjashme