Gërxhaliu: Marketet po diskriminojnë prodhimet vendëse

Prishtinë | 24 Mar 2017 | 09:02 | Nga Albulena Avdiu

Marketet në Kosovë vazhdojnë të diskriminojnë prodhimet vendëse duke mos ua siguruar atyre hapësirën për t’u ekspozuar dhe shitur ashtu sikurse prodhimeve të importuara nga jashtë.

Për këtë prodhuesit vendës vazhdimisht kanë apeluar tek institucionet vendore që të krijohen politika jo vetëm për mbështetje të prodhimit vendës, por edhe për mbrojtjen që i takon.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Ekonomia Online këtë çështje e ka quajtur diskriminim dhe shprehet këmbëngulës se është koha kur duhet të gjendet një modalitet i mirëfilltë që prodhimi “Made in Kosova” të mos jetë i diskriminuar, por të paktën ta ketë tretmanin e prodhimeve që importohen nga jashtë.

“Duhet të bëhet më tepër që jo vetëm të mbështetet prodhimi vendor por edhe të mbrohet dhe në qoftë se në këtë drejtim shprehet një gatishmëri nga pronarët e maketeve besoj që do të ketë hapësirë për zgjerim të kapaciteteve prodhuese”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai përmendi edhe takimin e fundit që kanë pasur në qeveri me bizneset ku potencoi se aktualisht është një frymë më e mirë e dialogut, ku të dyja palët kanë shprehur gatishmëri që të avancohet ky dialog.

“Do të dalim me propozime konkrete dhe do të duhet të punohet bashkërisht në dy ligje mjaft interesante, tek ligji për tregti të brendshme dhe ligji Antidamping, dhe këtu duhet tregtarët të jenë pjesë përbërëse, prandaj besoj që është një momentum i ri ku do të gjenerohen efekte pozitive për të dyja palët. Këto dy ligje janë në procedurë ku besojmë që në gjashtë muajt e parë të këtij viti do të jenë të finalizuara”, tha ai.

Gërxhaliu tha se është shqetësuese edhe fakti që ka rënë interesimi për investime të huaja direkte në vend ku për këtë fajin ia ka lënë mungesës së stabilitetit politik që ka dominuar kohëve të fundit, për të cilën thotë se kjo i ka kushtuar shumë Kosovës.

“Duhet ta kuptojmë që emëruesi i përbashkët i të gjitha problemeve është sundimi i rendit dhe Ligjit mirëpo duhet të jemi shumë më aktiv në diplomaci ekonomike për të promovuar storjet pozitive, duhet ta dimë që e kaluara jonë na ka kushtuar shumë, në veçanti jo stabiliteti politik që është përcjellë me gaz lotsjellës dhe për vet faktin që sot nëpër galeri të shumta në botë ndër top 10 fotografitë e zgjedhura janë fotografitë me tymin e gazit në Parlamentin e Kosovës, ky është një shqetësim që duhet të na preokupoj të gjithëve”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ai këmbëngul që agjenda ekonomike duhet të jetë prioritet i prioriteteve të institucioneve të vendit.

Të ngjashme