Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka vizituar kompaninë prodhuese gjermane-kosovare “bitter” në Fushë Kosovë.
Gërxhaliu tha se kjo kompani është një dëshmi se sektori privat është para politikës.
Ai tha se politika duhet të mbështesë sektorin prodhues, pasi sipas tij, ky sektor është gjenerator i stabilitetit ekonomik politik dhe social të vendit, raporton Ekonomia Online.
“Edhe kjo është një dëshmi që sektori privat është para politikës. Besoj që në këtë drejtim, sektori prodhues duhet të mbështetet më tepër sepse këta janë gjeneratorë të stabilitetit social, të përshpejtimit të proceseve integruese, të përmirësimit të imazhit të Kosovës. Këta janë ata që e qojnë Kosovën në një dimension tjetër siç është ai ekonomik si më i rëndësishmi”, u shpreh kreu i OEK-ut.
Gerxhaliu ka thënë se nëse vërtet mendohet të shkohet përpara atëherë sektori privat duhet të ketë një trajtim të veçantë e sidomos ai prodhues pasi sipas tij, këta janë ata që krijojnë vende të reja të punës dhe këta janë ata që e bartin barrën ne stabilitetit politik në Kosovë.
Ai ka përmendur më tej ligje për të cilat Qeveria duhet së shpejti t’i kushtojë vëmendje për të ardhmen e këtij sektori.
“Mbrojtja e prodhimit vendës duhet të përqendrohet në tri ligje të cilat Kosovës i mungojnë. Është Ligji Antidamping, Ligji për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe mbi të gjitha hapësirë e veçantë duhet t’i kushtohet Ligjit për Tregti të Brendshme, i cili nuk do të lejojë shantazhe, por hapësira do të jetë e dedikuar në mënyrë të veçantë për prodhimet ‘Made in Kosova’”.
Gabriele Bitter, bashkëpronare në këtë kompani prodhuese, tha se investitorët gjermanë janë shumë të mirëpritur në Kosovë.
Ajo tha se do të bëjë të pamundurën që të sjellë sa më shumë investitorë gjermanë në Kosovë.
“Ne jemi një ndërmarrje internacionale, kemi kompani prodhuese në 21 shtete dhe jemi qe 10 vjet e pranishme këtu. Për shkak të shkaqeve logjistike kemi pranuar të investojmë këtu sepse mendojmë shumë shpejt të vazhdojmë me eksport nëpër klientët tanë në shtetet e BE. Unë ndihem shumë mirë këtu. Si investitor gjerman je shumë i mirëpritur këtu. Qëllimi ynë do të jetë vetëm prodhimi i kualitetit gjerman dhe jemi të pajisur me të gjitha certifikatat evropiane të kualitetit”, tha Bitter, për Ekonomia Online.
“E kam një fat të madh që unë e kam gjetur partnerin tim Ismet Sylejmanin, të cilit i besoj dhe e respektoj. Kjo është arsyeja dhe hapi parë i këtij investimi me produkt me kualitet të lartë. Vitin tjetër do të bëjmë një investim të ri me materie të thata. Unë personalisht do të bëj të pamundurën që të realizojmë sa më shumë vende të punës këtu, duke stimuluar sa më shumë gjermanë për të investuar në fabrika të tjera”, theksoi bashkëpronarja e kompanisë gjermane-kosovare.