Gërxhaliu: Urgjent të formohet ekipi për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor i bazuar në profesionalizëm e jo përkatësi politike

Prishtinë | 06 Mar 2024 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu ka thënë se përkundër agjendës politike që po dominon në Kosovë rrugëtimi drejt familjes evropiane duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Përkundër faktit se raportet në mes të Kosovës dhe BE -së nuk janë në nivelin e dëshiruar falë ndodhive në Banjskë 2023, dialogut me Serbinë, masave apo sanksioneve nga ana e BE -së ndaj Kosovës dhe çështjes së dinarit partneriteti me Bashkimin Evropian duhet të jetë prioritet”.

Sipas tij, planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga 2024 deri në 2027 Kosova duhet ta shfrytëzoj në maksimum për arritjen e objektivave multidimensionale në interes të zhvillimit ekonomik dhe përafrimit me BE -në duke shfrytëzuar buxhetin prej 6 miliardë euro për këto objektiva.

Gërxhaliu përmendi shtatë prioritete të cilat synohet të arrihen përmes këtij Plani të Rritjes:

Lëvizjen e lirë të mallrave,

Lëvizjen e lirë të shërbimeve dhe punëtorëve,

Qasje në zonën e vetme të pagesave në euro SEPA,

Lehtësimi i transportit rrugor,

Integrimi dhe dekarbonizimi i energjisë,

Tregu i vetëm dixhital,

Integrimi në zinxhirët e furnizimit industrial.

Tutje, ai tha se Kosova ka nevojë për një dialog intern me të avancuar se sa deri më tani e në veçanti me sektorin privat dhe nivelin lokal.

“Është koha e fundit kur duhet të krijohet një ekip profesional me qëllim që nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga 2024 deri në 2027 të fitohet në aspekt politik, ekonomik, integrues,social por edhe psikologjik dhe ky ekip shpresoj i përbërë nga profesionistë të fushave e jo nga militantë politik dhe partiak do të jetë i përgatitur edhe për prioritetet e vitit 2027 /2030 qe janë në agjendën evropiane”.

Ky ekip, sipas tij duhet të mundësojë bashkëpunim më të ngushtë brenda rajonit dhe me BE-në duke përfshirë një sërë reformash të nevojshme, si dhe absorbimin e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian dhe se fokusi do të jetë në të gjitha aktivitetet për krijimin e një tregu të vetëm.

“Eleminimi i barierave qasje në tregun e vetëm për pagesat në euro (SEPA), që do të thotë komisione më të ulëta dhe pagesa më të shpejta ndërkufitare do të jetë me rëndësi, qe do të ndikoj edhe në korridoret e gjelbërta që të mos kemi vonesa në pikat kufitare rrugore dhe hekurudhore në qarkullimin e mallrave gjatë eksportit dhe importit të mallrave ne Ballkanin Perëndimor dhe BE-në”.

Gërxhaliu shtoi se lidhja e ekonomive të rajonit dhe heqja e pengesave janë synime të mëdha dhe të rëndësishme që çojnë në zhvillimin thelbësor të Kosovës dhe rajonit dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë.

“Nëse do ta shfytëzojmë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga 2024 deri në 2027 si duhet atëherë Kosova do të krijoj mundësi për punësim shtesë, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe fabrika të reja, dhe kështu ekonomia jonë bëhet më konkurruese dhe më tërheqëse për investime bazuar në stabilitet politik”.

Sipas tij kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar por që kërkon mobilizim dhe përkushtim profesional e jo vetëm politik.

Të ngjashme