GIZ-i dhe PEN-i shpërblejnë 10 shkolla kampione për përkushtim në ngritjen e cilësisë në arsim

Prishtinë | 16 Maj 2019 | 13:04 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Projekti i GIZ-it, ngritja e kapaciteteve në arsimin fillor, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Rrjetin e Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN) dhe partnerët e tjerë të fushatës kanë mbajtur organizim publik me temën “Të gjithë sëbashku për shkolla më të mira”, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të fushatës, të gjithë partnerët janë zotuar të ngrisin cilësinë e arsimit në Kosovë dhe kanë implementuar me sukses aktivitete me nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit si akterët më të rëndësishëm në këtë fushë.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Arsimit, Ismajl Kurteshi, tha është mirënjohës për GIZ-in dhe PEN-in që me fushata të tilla ndihmojnë në cilësinë e arsimit në Kosovë, pa të cilën tha se vendi nuk arrin asgjë.

“Jemi mirënjohës për punën e madhe që po bëni në Kosovë, fronti për arsim më të mirë është baza për gjitha të mirat që presim në vend, pa arsim të mirë nuk presim asgjë, arsimi i mirë është bazë për përmirësimin e gjendjes në gjitha fushatat e jetës”, tha Kurteshi.

“Komisioni parlamentar do të jetë përherë në përkrahje të iniciativave të tilla që ndihmojnë avancimin në arsim në përgjithësi, ngritjen e cilësisë dhe krijimin e kushteve për punë më të mirë në shkolla tona”, tha ai.

Udhëheqësi i projektit të arsimit fillor në GIZ, Boris Scharloëski, tha se është ndër për të që të jetë pjesë përbërëse e kësaj kampanje për të promovuar përfshirjen më të madhe të prindërve dhe nxënësve në shkolla.

Ai tha se kjo iniciativë për këtë fushatë ka ardhur si shkak i rezultateve jo të mira në testin PISA.

“Kosova në testin PISA mori pjesë për herë të parë në vitin 2015 dhe është vërejtur se cilësia nuk është në nivelin e dëshirueshëm, kjo është një brengë për të gjithë ne, ju nxënësit nuk jeni të pajisur mjaftë për të ardhmen tuaj dhe kjo është tregues që kemi nevojë të punojmë më shumë për të përmirësuar të menduarit kritik, për të pasur kapacitete të zgjidhjeve dhe aftësi kreativiteti”, tha ai.

Scharloëski tha se problemet me cilësinë në arsim janë adresuar në nivel të Qeverisë ku janë mbledhur nënshkrime të cilat ia kishin dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai tha se si rezultat i kësaj fushate, buxheti për këtë vit në fushën e arsimit është rritur për 12%.

“Sot në ‘Xhemail Mustafa’ duam të kemi përfshirje më aktive të prindërve dhe nxënësve, sepse nëse prindërit janë më të përfshirë në ndërtimin e karrierës së fëmijëve të tyre, nxënësit marrin nota më të mira, pjesëmarrja e nxënësve në shkollë është më e lartë dhe vetëbesimi i nxënësve rritet”, tha ai.

“Kemi zgjedhur 20 shkolla kampion, këto janë shkolla që të gjithë bashkëpunojnë në mes vete dhe gjithë kjo është për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkollë, jam i lumtur që shoh përfaqësuesit e shkollave dhe që kjo shkollë ‘Xhemail Mustafa’ është pjesë e këtyre shkollave”, shtoi ai.

Scharloëski tregoi për hapat të cilat synohen të arrihen me bashkëpunimin e mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve.

“Do mundohemi të fuqizojmë bashkëpunimin e gjithë akterëve dhe kjo duhet të ketë efekt pozitiv në mësimdhënie dhe mësimnxënie dhe përkrahësit e fushatës do përkrahin edhe më tutje zhvillimin e shkollës”.

“Duke parë rezultatet e testit PISA ka nevojë për një ndryshim që do ndryshoj të ardhmen e kosovarëve dhe ky ndryshim duhet të fokusohet në mësimdhënie, ne kërkojmë që të ngritet niveli i mësimdhënies të futen metodologjia të reja, në vend se të mësohet përmendësh nxënësit duhet të rrisin interesin dhe kuriozitetin për të mësuar, duhet të ndërrohet nga klasikja në kulturë bashkohore të mësimdhënies”.

“Menaxhimi i shkollës duhet të lëvizë nga aspekti teknik në aftësitë menaxheriale të Kosovës, të i japin orientim më të mirë mësimdhënësve dhe inspektorët ta ndryshojnë qasjen e sjelljes në vend se të bëjnë vlerësimin ata duhet të japin këshilla dhe udhëzime për stafin e mësimdhënësve”

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale për Arsim në Prishtinë, Shpresa Shala, tha se kjo ka qenë një mundësi e mirw që iu është dhënë shkollave të Kosovës, ku 6 shkolla të Prishtinës janë kampione në këtë fushatë.

“Falënderoj GIZ-in për mundësinë e shkollave kampione që i është dhënë që të garojnë dhe prej tyre janë 6 shkolla të Prishtinës dhe ne përpiqemi që trajnimin i mësimdhënësve të i marrim dhe shpërndajmë në shkollat tjera për të bërë një mekanizëm të qëndrueshëm në nivel shkolle dhe të komunës”, tha Shala.

Shala tha se prindërit nuk duhet të is imponojnë fëmijëve një drejtim për në shkolla të mesme ku ata nuk duan, por aty ku ata kanë aftësi.

“Ju bëj thirrje prindërve që nganjëherë si komunë kemi probleme me orientimin e fëmijëve në karrierë. Prindërit të mos iu imponojnë fëmijëve preferencat për në shkolla të mesme, duhet të i ndihmohen fëmijëve të orientohen në të ardhmen ku ata duan dhe ku i kanë aftësitë”, tha ajo.

Bujar Fejzullahu nga PEN ka treguar aktivitetet që kanë organizua dhe rezultatet e tyre.

Ai tha se PEN-i bashkë me GIZ-in kanë një bashkëpunimi 3-vjeçar ku bashkërisht kanë organizuar aktivitete të ndryshme.

“Në kuadër të fushatës ‘Të gjithë së bashku për shkolla më të mira’ kemi arritur që brenda dy javësh të mbledhim 94.477 nënshkrime në 7 komuna të Kosovës dhe 124 mijë nënshkrime janë mbledhur online”, tha Fejzullahu.

“Jemi të lumtur që jemi pjesë e fushatës të kontribuojmë në fuqizimin e rinisë, prindërve arsimit në rritjen e cilësisë në arsim në Kosovë, dua të falënderoj popullin gjerman dhe GIZ-in që po na ndihmon në gjitha fushat e sidomos në arsim”, tha ai.

Nxënësit kanë promovuar iniciativat që kanë implementuar bashkë me PEN dhe KRN dhe kontributi që nxënësit e 10 shkollave kampione kanë shfaqur kundrejt sistemit të arsimit, ashtu si edhe prindërit gjatë muajve të fundit, raporton Ekonomia Online.

Në fund u shpërndanë mirënjohje për 10 shkollat kampione që kanë shfaqur përkushtimin kundrejt sistemit të arsimit, ashtu si edhe prindërit gjatë muajve të fundit.

Gjatë ngjarjes u lansua edhe videoja e re “Shkolla Ideale” e fushatës.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/328583034735105/

Të ngjashme