KFOR-i interesohet pse nuk po funksionalizohet Aeroporti i Gjakovës

Prishtinë | 13 Kor 2016 | 13:58 | Nga

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur sot në një takim njohës komandantin e Grupit Luftarak Shumëkombësh të Perëndimit dhe i kontingjentit italian, kolonelin Giovanni Giagheddu, i cili në këtë post ka ardhur vetëm pak ditë më parë.

Fillimisht kryetarja Lila e ka njoftuar kolonelin Giagheddu për situatën në komunën e Gjakovës dhe angazhimet konkrete të qeverisjes lokale në shërbim të qytetarëve.

Ajo ka përmendur disa nga projektet e mëdha të cilat tashmë janë në proces të realizimit, përfshirë këtu projekti për rrjetin e ujit të pijes, atë të Ngrohtores së Re, të Impiantit të Ujërave të Zeza e të tjera.

Kusari-Lila gjithashtu e ka njoftuar koloneli Giagheddu se qeverisja lokale e drejtuar nga ajo është duke u angazhuar që në komunë e Gjakovës të krijojnë një sistem të transparencës dhe llogaridhënies, përmes së cilit qytetarët kanë mundësi të marrin pjesë në vendimet e nivelit lokal dhe në të gjitha proceset që ndikojnë ne jetën e tyre.

Nga ana tjetër, koloneli Giagheddu ka shprehur interesim për të ditur më shumë rreth situatës në Aeroportin e Gjakovës, për të cilin nga ana e kryetares Kusari-Lila ka marrë informacione të plota mbi të gjitha zhvillimet e deritashme.

Në këtë drejtim, Giagheddu ka shprehur keqardhjen për zvarritjen e funksionalizimit të këtij aseti me shumë rëndësi jo vetëm për Gjakovën por edhe për tërë rajonin në përgjithësi.

Të ngjashme