Gjashtë burra në garë për rektor të UP-së, ushtruesja e detyrës tregon pse nuk kandidoi

Prishtinë | 08 Nën 2022 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Dje është mbyllur aplikimi për rektor të Universitetit të Prishtinës. Organizata për Rritjen e Cilësisë së Arsimit ka publikuar listën prej gjashtë kandidatëve, mirëpo emri i ushtrueses së detyrës së kësaj pozite, Luljeta Plakolli-Kasumi nuk është.

Tri javë më parë u shkarkua rektori i UP-së, Naser Sahiti, çka nxiti shumë reagime. Pas shkarkimit të tij, ushtruese e detyrës u bë Luljeta Plakolli- Kasumi që po ashtu ngjalli shumë reagime, për shkak të raporteve të saj me Presidenten Osmani. Dje është mbyllur afati për aplikim.

ORCA ka publikuar ermat e kandidatëve. Për rektor të UP-së do të kandidojnë Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova e Qerim Qerimi.

U.d e rektores, Luljeta Plakolli në një bisedë për Gazetën Express tregoi pse nuk ka kandiduar.

“Aplikimi është mbyllë dje. Kemi gjashtë aplikime dhe unë nuk jam në mesin e aplikimeve. Kurrë as nuk e kam mendu të konkurroj. Sepse unë nuk kam pas asnjëherë as plan as ambicie të bëhem rektore. Këtë detyrë/përgjegjësi e kam marrë përkohësisht, meqë edhe më është besuar nga Këshilli Drejtues që të ndihmoj mbarëvajtjen e punës në UP deri në zgjedhjen e rektorit të ri”, deklaroi ajo.

U.d e rektores tha se nuk i di emrat e konkurrentëve, derisa shtoi se sot në orën 13:00 Senati i UP-së do të mbajë takim, ku do të formohet komisioni profesional që do të ndjekë aplikimet.

“Emrat e konkurrentëve nuk i kam. Në orën 13:00 sot kemi takimin e Senatit ku do ta formojmë komisionin profesional të cilëve do t’iu përcjellen të gjitha aplikimet. Ata pastaj do e propozojnë listën e kandidatëve për rektor tek Këshillit Drejtues”, u shpreh Plakolli.

ORCA sot ka reaguar për emrat e kandidatëve. Kjo organizatë tha se “kandidaturat për rektor të Universitetit të Prishtinës, tregojnë se besimi në proces ka humbur dhe se duhen zgjedhje të reja në nivel universitar për të dalë nga situata e krijuar”.

Sipas tyre asnjë emër me reputacion të mirë në UP nuk ka kandiduar për rektor.

“Si për nga numri i kandidaturave, si për nga kualiteti shihet se asnjë emër me reputacion të mirë në UP nuk ka kandiduar për rektor. Fakti që në mesin e 6 kandidatëve kanë aplikuar njerëz me të kaluar të dyshimtë, si shembull të përfolur për afera korruptive, apo që kanë pasur pjesëmarrje aktive në sabotazhë të integritetit akademik të UP-së, tregon se shkarkimi i rektorit dhe situata aktuale po shërbejnë si mobilizim për grupet e interesit të cilat duan ta çojnë në regres Universitetin e Prishtinës.”

Kjo organizatë deklaroi se brenda javës do të publikojnë profilin e secilit kandidat për rektor.

Kujtojmë që Plakolli u akuzua për plagjiaturë nga ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

“Për fat të keq, kam qenë kryetar i komisionit të saj për doktoratë para një viti e gjysmë. Mas tri katër herë, se u lodha, se problem është 3-4 me kontrollu një doktoratë dhe mos me t’i marrë parasysh. Një herë e dy me kolegë, dikur u dorëzova dhe me kërkesën dhe lutjen e dekanit ne e lëshuam me kërkesën që në dosje me pasë një temë tjetër sipas vërejtjeve… Bile unë i thashë ky as punim seminarik nuk është, jo për doktoraturë… Tmerr. Unë jam në universitet prej 87-s, kam pasë rast me ndihmu dhe monitoru në çdo nivel. Pas kërkesës së dekanit, kam besu që do të bëhet një frymë më ndryshe, po kjo ndërhyrje ishte shqetësimi im i parë. E dyta para 3-4 muajsh thanë është duke u bërë një reformë. Disa kolegë më thirrin, më thojnë po don me ma hjek lëndën dhe unë i thashë që kjo është logjikë e rrugës. Kjo më coi mu me këqyrë profilin psikologjik… E këqyra doktoratën e tij për përgjegjësinë penale. Përmbi 50 për qind është plagjiat brutal, e disa autorëve shqiptarë”, tha ai në Pressing të T7 më 24 tetor.

Hasani tha se referencat nuk janë të autorëve që i ka cituar ajo në punim.

“Unë t’u shpresu që e bijnë pas ni viti siç jena marrë vesh, tekstin e pastrum, por as që i kanë ra asaj rruge…Unë për rektorin e thashë edhe pjesërisht në nivelin zhgl, por unë besoj që edhe aty del”, tha Hasani.

Pas këtyre akuzave të Hasanit, reagoi ushtruesja e detyrës.

Ajo tha sse qëndron mbrapa çdo shkronje që ka shkruar dhe se është e gatshme të përballet me vlerësimet mbi të.

“Më lejoni të theksoj me gjithë përgjegjësinë time morale, akademike dhe njerëzore që disertacioni im i doktoraturës është vepër e pastër intelektuale e imja; atë e kam produkt të punës sime shumë-vjeçare. I qëndroj mbrapa çdo shkronje që kam shkruar dhe jam e gatshme të përballem me çfarëdo vlerësimi mbi të. Për ta orientuar drejt debatin, jam në përgatitje e sipër të një shkrese për Këshillin e Etikës që të themelojë një komision profesional me profesorë eminent për të vlerësuar kualitetin dhe qëndrueshmërinë e tezave të disertacionit tim të doktoraturës. Pres që një komision i tillë shumë shpejtë të themelohet dhe ta kryejë këtë detyrë”, ka shkruar ajo.

Të ngjashme