Komisioni për Legjislacion ka vendosur qe kërkesën e deputetit Nait Hasani dhe pesë deputetëve nënshkrues me anë të të cilës kërkojnë nga Kuvendi që të organizojë debat për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’ia kthejë sot Kryesisë së Kuvendit në mënyrë që të organizohet debat parlamentar, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu tha se kërkesa e deputetit Nait Hasani duhet t’i kthehet kryesisë së Kuvendit, pasi që komisionit nuk i takon të merret me këtë.
“Kjo pikë ka të bëjë me atë se deputeti Nait Hasani ka kërkuar nga Kuvendi që të organizojë një debat për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e Prokurorit të Specializuar, mirëpo kjo nuk na takon neve të merremi më këtë si komision”, ka thënë ajo.
Anëtarja e komisionit, Valdete Bajrami tha se kërkesa e deputetit Nait Hasani ka qenë që të ketë një debat andaj kërkoi që e njëjta t’i kthehet kryesisë së Kuvendit.
“E udhës është që në si Komision t’ia kthejmë kryesisë përderisa nuk është në kompetencë tonën që ta shqyrtojmë një kërkesë për debat. Kështu që unë jam edhe anëtare e kryesisë dhe besoj se Kryesia do ta marrë parasysh dhe sa më parë të thërrasë një seancë për debat. Prandaj, unë besoj se Komisioni nuk ka çka të humbë më tepër kohë, por unë mendoj se kjo kërkesë duhet t’i kthehet kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ajo.
E pajtimit që kjo kërkesë t’i kthehet kryesisë së Kuvendit ishte edhe anëtarja e komisionit nga radhët e PDK-së, Selvije Halimi.
“Nga shkresa që kanë bërë deputetët shihet se ata kërkojnë një debat parlamentar në Kuvend për një çështje të caktuar dhe varësisht nga debati i Kuvendit do të vijnë edhe në përfundim sigurisht mendohet në rekomandime të cilat pastaj do të inicojnë edhe inicimin e procedurës . Meqenëse ne nuk kemi dokument tjetër të arsyeshmërisë që e kanë bërë për debat unë mendoj që kërkesa t’i kthehet kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Pal Lekaj, anëtar i Komisionit kërkoi nga Kryesia e Kuvendit që ta miratoi këtë kërkesë dhe seanca për debatin rreth Gjykatës Speciale të caktohet këtë javë.
“Unë mendoj që çështja të shkon më tutje sepse ne kemi qenë kundër miratimit të dhomave të specializuara sepse ka bukur paqartësi dhe në këtë drejtim mendoj se ne pa humbur kohë ta procedojmë në kryesi sot dhe kryesia të vendos që seancën e radhës që mund të jetë të enjten ose të premten që të zhvillohet debati”, ka thënë ai.