Gjashtë komuna përfitojnë 25 mln dollarë për përmirësimin e shëndetit parësor

Prishtinë | 02 Shk 2017 | 09:47 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar Marrëveshje me kryetarët e komunave për fillimin e implementimit të pagesës sipas performancës për kokë banori në Kujdesin Parësor Shëndetësor në gjashtë komuna të cilat janë përzgjedhur për të qenë pjesë e pilotimit të këtij programi për vitin e parë.

Në këtë program përfshihen: Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Suharekës, Dragashit, Malishevës dhe Rahoveci, raporton Ekonomia Online.

Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje është ofrimi i shërbimeve cilësore dhe përmirësimin e shëndetit parësor për të përkrahur Fondin për sigurimet shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha për pjesën e parë të këtij fondi janë paraparë 25 milionë dollarë, kurse 780 mijë euro nga buxheti i ministrisë.

“Në këtë projekt janë paraparë për fillim katër komuna por në mirëkuptim me Bankën Botërore kemi arritur t’i shtojmë edhe dy komuna të tjera”, ka thënë Rrahmani.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore Marco Mantovanelli, ka thënë se në vazhdën e reformave që po mundohen të arrijnë është edhe kjo për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe përmirësimin e shëndetit parësor.

“Qëllimi i këtij fondi është që t’i mbrojmë të varfrit nga shpenzimet dhe më këtë mundohemi t’i përkrahim komunat tuaja. Ne e kuptojmë këtë, sepse kjo është reformë komplekse, edhe shtetet e zhvilluara kanë pasur problem në implementimin e kësaj reforme”, ka thënë ai.

Kurse, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka thënë se në komunën me të cilën ai udhëheq i kanë shtuar kujdes të madh shëndetit parësor.

“Kjo përkrahje financiare do të na jep mundësi të jemi më afër pacientëve për shërbimet parësore shëndetësore dhe padyshim që do të jetë i suksesshëm”, ka theksuar Muja.

E kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka pohuar se kjo ndihmesë për komuna është mjaft e madhe.

“Të ndihmohen njerëzit në nevojë neve na inkurajon që të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim. Bashkëpunimi jonë do të jetë i plotë”, ka thënë ai.

Të ngjashme