Gjashtë muaj pa pensione në Maqedoni

Prishtinë | 09 Qer 2017 | 09:56 | Nga

Prej më shumë se pesë muajsh artistët dhe ekspertët në sferën e trashëgimisë kulturore nuk i kanë marrë kompensimet pensionale, që iu takojnë konform çmimeve shtetërore të akorduara, shkruan gazeta KOHA.

Shumë artistë, fitues të çmimeve të nivelit më të lartë për kontributin e dhënë pohojnë se gjatë kësaj periudhe Ministria e Kulturës nuk i ka dhënë asnjë arsyetim lidhur me këtë pezullim të kompensimit që e marrin prej disa vitesh. Por kjo mungesë transparence nga ana e institucionit të kulturës ka shkaktuar konfuzion dhe nuk dihet nëse bëhet fjalë për pengesa ligjore, apo për ndryshime në ligjin për çmimet. Pensionet nacionale jepen që nga viti 2012, për një numër të kufizuar artistësh, mes të cilëve asnjë shqiptar. Ndërsa një grup tjetër më i vogël personalitetesh shqiptare janë fitues të tre çmimeve shtetërore, “11 tetori”, “23Tetori” dhe “Shën Klimenti i Ohrit”, të cilat e mundësojnë marrjen e kompensimit pas daljes në pension.

Të tillë si Xhabir Ameti, Halil Zendeli, Resul Shabani, apo të tjerë si Bajrush Mjaku, Reshat Ameti e të tjerë.

“Zyrtarisht nuk na kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi, por në fakt kemi hyrë në muajin e gjashtë dhe nuk na janë bërë pagesat. Me aq sa flitet lart e poshtë pagesat s’janë bërë pasi Qeveria teknike s’ka pasur të drejtë t’i nënshkruajë këto kompensime, që trajtohen ashtu si edhe subvencionet. Por ka pasur edhe zëra se mund të ketë ndryshime dhe ndoshta do të tërhiqen. Mbetet të presim sqarimin zyrtar për të parë sesi qëndrojnë punët”, thotë shkrimtari Resul Shabani, që është fitues i dy çmimeve shtetërore.

Po ashtu ai pohon se çështja e dhënies së çmimeve shtetërore duhet të rishikohet, jo vetëm sa i takon përzgjedhjes së emrave fitues, apo edhe i atyre që nominohen, por edhe të vetë çmimeve dhe shpërblimit për secilin prej tyre.

“Të paktën çmimi ‘Nënë Tereza’ të vlejë më shumë në aspektin financiar dhe jo fituesit e saj të mos kenë asnjë benifit”, thotë Shabani.

Artisti Bajrush Mjaku që ka dalë prej pak kohësh në pension është në pritje të përcaktimit të nivelit të pensionit, konform çmimeve të marra.

“Me siguri që kjo është një çështje që do të zgjidhet së shpejti. Problemi qëndron tek vetë çmimet. Ato duhet të rishikohen, sidomos 23 Tetori, që është një datë që lidhet me OBRM dhe është absurde t’i akordohet një artisti. Por pensionet e artistëve, çmimet që u jepen, si ai Artist nacional nuk duhet të jenë ekskluzivitete. Më vjen keq që mua ma refuzuan këtë çmim vitin e kaluar, edhe pse i plotësoja të gjitha kriteret, por ndihem edhe më keq që këtë çmim nuk e ka asnjë shqiptar. Këto çështje duhen zgjidhur dhe artistit duhet t’i jepet një shpërblim meritor dhe të ketë jetë dinjitoze, kemi shumë shembuj, sesi janë zgjidhur këto çështje si Serbia, apo edhe Mali i Zi ”, thotë për KOHA Mjaku.

Nga Ministria e Kulturës nuk prononcohen për këto vonesa, por as edhe çfarë do të ndodhë dhe kur do të fillojnë të realizohen pagesat. Ndërkohë gjatë këtyre muajve mosfunksionimi i Komisionit të zgjedhjeve dhe emërimeve që merret me emërimet e kryetarëve dhe 12 anëtarëve të këshillave për ndarjen e çmimeve shtetërore ka sjellë bllokimin e konkurseve për dy “23 Tetorin” dhe për “Shën Klimentin e Ohrit”, i cili duhej të ishte shpallur këtë muaj.

Për arsye se ka skaduar mandati i anëtarëve të këtyre komisioneve. Konkursi më i fundit është ai për akordimin e çmimit shtetëror “11 Tetori”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme