Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK), Haki Demolli priti në takim zyrtar komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës (SHBA), gjeneral Timothy Orr, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Në takim u bisedua për marrëdhëniet e partneritetit mes dy institucioneve, shkallën e bashkëpunimit, aktivitetet në vazhdim, si dhe për perspektiven e ngritjes dhe intensifikimin e nivelit të këtij bashkëpunimi në kuadër të partneritetit shtetëror Kosovë-Ajovë.
Demolli me këtë rast falënderoi komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës për mbështetjen dhe përkrahjen që Garda Kombëtare e Ajovës ka ofruar për FSK-në, duke potencuar faktin se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partner strategjik i Kosovës, është shumë i rëndësishëm për proceset që po kalon dhe përpjekjet që po bën vendi ynë për ndërtimin dhe funksionalizimin e institucioneve të sigurisë.
Ministri i FSK-së, tha gjithashtu se Ministria për FSK dhe FSK-ja çmojnë lartë angazhimin e burrave dhe grave, ushtarakë amerikanë, të cilët për gjatë gjithë vitit kanë kontribuuar në avancimin e profesionalizmit të pjesëtarëve dhe njësive tona, në veçanti angazhimin e ushtarakëve amerikanë të cilët janë të angazhuar në planifikimin e stërvitjes së përgjithshme fushor të FSK-së “Shqiponja 5” që do të mbahet gjatë ditëve të ardhshme.
Gjithashtu, gjenerali Orr i shoqëruar nga mikpritësit, gjeneral brigade Zymer Halimi dhe gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, u pritën në takim edhe nga sekretari i përgjithshëm i MFSK, Shkelzen Sylaj.
Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral Timothy Orr u shpreh i lumtur me të arriturat e FSK-së, si dhe shprehu gatishmërinë e Ajovës dhe SHBA-së për vazhdimin e bashkëpunimit dhe përkrahjes.