Zyra e Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës ngriti të martën një aktakuzë për krime lufte kundër gjeneralit të pensionuar të ushtrisë serbe të Bosnjës, Milenko Zhivanoviq, i cili akuzohet për pjesëmarrje në gjenocidin e korrikut 1995 të boshnjakëve në Srebrenicë.
Gjatë luftës, Zhivanoviq (75 vjeç) ishte komandant i të ashtuquajturve “Korpusi Drina” i ushtrisë serbe të Bosnjës, zona e përgjegjësisë së së cilës ishte Bosnja Lindore.
Aktakuza thotë se ai ishte pjesëmarrës në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që çoi në persekutim masiv etnik dhe në vrasjen e më shumë se 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë nga zonat e Srebrenicës dhe Zepës.
Që nga marsi i vitit 1995, trupat nën komandën e Zhivanoviqit kanë bllokuar zonën e mbrojtur të Srebrenicës, duke ndërprerë furnizimet për popullsinë atje, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.
Më pas, Zhivanoviq urdhëroi sulme artilerie ndaj civilëve dhe banesave në Srebrenicë për të krijuar kushte të padurueshme jetese në zonën e mbrojtur nga OKB-ja.
Zhivanoviq dhe vartësit e tij morën pjesë në ndarjen e burrave dhe djemve boshnjakë nga familjet e tyre pas rënies së Srebrenicës dhe në ndalimin dhe ekzekutimin e tyre.
Zhivanoviq ishte dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin e kriminelit serb, ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY). Karaxhiq u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës.