Gjermanët vijnë në Kosovë për vizat gjatë muajit, Brukseli nuk i ka në agjendë

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Në ditët e fundit të punës së Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në vend do të qëndrojnë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, të cilët do të takohen me homologët e tyre kosovarë për të diskutuar për vizat, kanë konfirmuar për Gazetën Express nga ky institucion. Por, pavarësisht mbështetjes gjermane, zyrtarët në Bruksel kanë deklaruar për Gazetën se vizat nuk janë në agjendën e Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme që do të mbajë takim më 2-3 dhjetor.

Ministria Federale e Punëve të Brendshme Gjermane ka konfirmuar se gjatë këtij muaji do të qëndrojnë në Kosovë disa zyrtarë gjermanë, që do të zhvillojnë takime me grupin punues kosovarë të krijuar muaj më parë nga qeveria, me qëllim të harmonizimit për procesin e liberalizmit të vizave.

Gjermanët kanë bërë të ditur se pas raundit të parë të bisedimeve në mes të grupeve punuese në Berlin, do të mbahet edhe takimi i radhës në Kosovë.

“Pas raundit të parë të bisedimeve në qershor të këtij viti në Berlin, do të mbahet një takim pune në Nëntor 2019 në Prishtinë midis përfaqësuesve të Ministrisë Federale të Brendshme Gjermane dhe të Kosovës për çështjet që lidhen me harmonizimin e procesit të vizave në kuadrin e BE-së”, ka bërë të ditur për Gazetën, një zëdhënës i ministrisë gjermane.

Derisa nga ky institucion nuk kanë dhënë më shumë detaje për takimin, apo për lajmin që do të sjellin në vend, në Kosovë, qeveria në detyrë po shprehet shumë optimiste për lëvizjen e lirë, madje, Ramush Haradinaj jo pak herë e ka përmendur fundin e vitit si periudhë kur mund të merret një vendim në strukturat e BE’së në Bruksel në favor të liberalizimit. Në këtë disponim ka ndikuar edhe deklarata e Peter Beyer deputet gjerman që gjatë takimit me Haradinajn në Prishtinë tha se lajme të mira mund të priten për Krishtlindje.

Haradinaj këtë javë përsëriti se në nëntor do të ndodhë diçka që do të ndihmojë Kosovën drejt lëvizjes pa viza.

Institucionet e vendit kanë thënë disa herë se gjatë këtij viti presin që të hyjnë në agjendën e Këshillit në muajin dhjetor.

Por, zyrtarë të Këshillit të BE-së, kanë bërë të ditur për Express se nuk e dinë se kur kjo çështje mund të kalojë në nivel ministror. Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është parashikuar as në rendin e ditës në mbledhjen që do të zhvillohet më datë 2-3 dhjetor.

 “Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë mbetur në nivelin teknik brenda Këshillit. Nuk mund të spekuloj se kur mund të sillet në nivelin ministror ose kur mund të merret një vendim. Megjithatë mund të konfirmoj se kjo temë nuk është parashikuar në rendin e ditës të mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme që do të zhvillohet në 2-3 Dhjetor”, kanë bërë të ditur zyrtarë të Këshillit të BE-së në një përgjigje për Gazetën Express.

Fillimisht Kosova duhet të marrë mbështetje nga grupi punues për vizat (COWEB), që do të vlerësojnë punën sa i përket reformave, sundimit të ligjit dhe aspekteve tjera që lidhen me këtë proces.

Pas mbështetjes nga COWEB çështja e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën kalon në nivelin e ambasadorëve, që njihet si COREPER dhe në fund kërkohet miratimi nga ministrat e vendeve anëtare të BE-së.

Kosova momentalisht është duke marrë mbështetje të madhe nga Gjermania, derisa lajmin për liberalizim e pati dhënë Haradinaj gjatë Samitit të Berlinit në takimin që pati me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer. Haradinaj kishte deklaruar pas takimit se Kosova ka marrë “Po”-në e Gjermanisë për vizat.

Franca në anën tjetër ka kërkuar më shumë punë në sundim të ligjit, kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Në maj të këtij viti, qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinaj kishin marrë vendim për krijimin e një grupi punues për bashkëpunim me Ministrinë Federale për Punë të Brendshme Gjermane për  harmonizim të standardeve që ndërlidhen me liberalizim të vizave.

Kryesues i grupit është shefi i stafit të kryeministrit, Selim Selimi, derisa anëtarë janë, Rejhane Vuniqi, Lirak Qelaj, Altin Ademi dhe Dardan Koqani.

Takimi i parë i grupit punues ishte mbajtur në muajin qershor të këtij viti, derisa kishte zgjatur më shumë se tetë orë.

Derisa në shtator ishte paralajmëruar edhe një vizitë tjetër, megjithatë e njëjta është shtyrë për këtë muaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme