UEFA ka vendosur që finalja e madhe e UEFA Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Arsenal të drejtohet nga arbitri gjerman Daniel Siebert. Për 42-vjeçari kjo do të jetë finalja e parë në karrierë në një kompeticion madhor të UEFA-s.
Siebert kishte drejtuar edhe ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales në Emirates mes Arsenalit dhe Atletico Madridit, duke fituar besimin e shtëpisë europiane të futbollit për supersfidën e sezonit.
Asistentët e tij do të jenë bashkëkombësit Seidel dhe Foltyn, ndërsa arbitër i katërt është caktuar spanjolli Porras Ayuso.
Në dhomën VAR do të jenë gjermanët Dankert dhe Schroder, teksa mbështetja shtesë e VAR-it do të vijë nga spanjolli Del Cerro Grande.