Gjermania kërkon marrëveshje të BE-së për të mbyllur qendrat e skijimit

Prishtinë | 26 Nën 2020 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Gjermania po kërkon një marrëveshje me vendet evropiane, për të mbajtur qendrat e skijimit të mbyllura deri në fillim të janarit.

Kjo masë po kërkohet nga ana e Gjermanisë, për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19.

“Unë do ta them këtë hapur. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të përpiqemi”, tha kancelarja Angela Merkel, pasi foli me udhëheqësit rajonalë të Gjermanisë.

Lajmi u bë i ditur derisa Gjermania zgjati masën e izolimit të pjesshëm deri më 20 dhjetor.

Që në fillim të pandemisë, disa nga zonat e përhapjes së Coronavirusit në Evropë ishin në vendpushimet e skijimit.

Kryeministri italian Giuseppe Conte, ka mbështetur shtyrjen e fillimit të sezonit të skijimit, por ka theksuar nevojën për një zgjidhje evropiane.

“Nëse Italia vendos të mbyllë të gjitha qendrat e saj të skijimit, pa ndonjë mbështetje nga Franca, Austria dhe vendet e tjera, atëherë turistët italianë do të rrezikonin të shkonin jashtë vendit, dhe të bartnin virusin përsëri në Itali”, i tha ai TV La7 në fillim të kësaj jave.

Shumë italianë u drejtohen qendrave të skijimit gjatë pushimeve, për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Kjo është periudhë shumë e rëndësishme për ekonominë lokale të shumë vendpushimeve në të gjithë Evropën.

Presidenti francez Emmanuel Macron, e bëri të qartë të martën se, vendpushimet në Francë do të qëndronin të mbyllura deri në Vitin e Ri.

Por, Austria ka shprehur shqetësim për një plan të përbashkët evropian të mbylljes së qendrave të skijimit.

Ministri i Financave në Austri, Gernot Blumel, tha se nëse BE-ja detyron zonat e skijimit të qëndrojnë të mbyllura, “atëherë ata do të duhet të paguajnë për të”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme