Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka deklaruar dje në Prishtinë se e mbështet idenë për lëvizje të kufijve, të cilën e kanë proklamuar qe disa muaj presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq. Por kundër kësaj ideje “është barrikaduar” përsëri kryeministri Haradinaj.
Pavarësisht qëndrimit të Austrisë, Gjermania mbetet shteti që ka kundërshtuar më së ashpëri idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë. Një qëndrim të tillë të shtetit gjerman e vlerësojnë përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë.
Megjithëkëtë deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka konsideruar se Gjermania nuk është shteti i vetëm që ka dalë kundër idesë së presidentit Thaçi.
“Ne vlerësojmë shumë mbështetjen e Gjermanisë dhe duhet theksuar se Gjermania nuk është i vetmi shtet që ka mbajtur pozicionin kundër korrigjimit. Përkundër debaklit që po shkakton presidenti Thaçi, mbeten shumë shtete të cilat i qëndrojnë lojalë Kosovës si shtet, duke përfshirë këtu edhe SHBA-në, edhe Britaninë e Madhe, si dy mbështetëse të tjera të fuqishme të vendit tonë”, ka deklaruar Sejdiu. ë
E pavarësisht se presidenti nuk po rresht së promovuari këtë ide, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka përsëritur faktin që LVV-ja nuk do të ndalet së kundërshtuari skenarin e korrigjimit të kufijve.
“Pavarësisht asaj që është thënë ne vazhdojmë t’i kundërshtojmë fuqishëm pazaret me territorin e Republikës së Kosovës. Pra ne kundërshtojmë fuqishëm shkëmbimin territorial dhe këtë idenë e rrezikshme të Hashim Thaçit”.
Pos LVV-së, idenë për korrigjim të kufijve ose për shkëmbim territoresh sipas saj e kundërshtojnë edhe qytetarët e Kosovës.
Ndërkaq Korab Sejdiu ka konsideruar se është një fatkeqësi e madhe ajo që është duke ndodhur kohëve të fundit. Sipas tij, presidenti Thaçi po vazhdon me aventurat e tij që po kontribuojnë drejt zhbërjes së shtetësisë së Kosovës.
Pavarësisht këtyre kundërshtimeve të opozitës Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialog në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se patjetër duhet të arrihet një konsensus i brendshëm mbi dialogun Kosovë – Serbi.
“Momentalisht nuk ka një qëndrim të tillë. Në këtë proces Kosova në çdo mënyrë duhet ta ruajë interesin e saj shtetëror”, është shprehur Krasniqi.