Gjermania të enjten regjistroi rastin e parë me variantin e ri të koronavirusit, i cili është zbuluar fillimisht në Britani të Madhe.
Një grua e cila kishte udhëtuar nga Londra, doli pozitive në këtë variant të koronavirusit. “Ky është rasti i parë i njohur në Gjermani”, tha në një deklaratë ministria e Shëndetësisë e shtetit, Baden-Wuerttemberg.
Gruaja kishte mbërritur në aeroportin e Frankfurtit më 20 dhjetor. Ajo u dërgua në vetizolim në shtëpi pasi doli pozitive për COVID-19, kur mbërriti në aeroport, raporton AFP.
Një ditë më vonë, ajo filloi të shfaqte simptoma të lehta, dhe një test i dytë gjithashtu doli pozitiv. Një mostër e testit të saj u dërgua në një laborator të specializuar për analiza të mëtejshme.
Gjermania të martën zgjati masën e ndalesës së udhëtimeve nga Mbretëria e Bashkuar deri më 6 janar.
Varianti i ri është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat.
Autoritetet shëndetësore në Britani të Madhe thonë se varianti i ri i koronavirusit është deri në 70% më infektues.
Dhjetëra vende kanë mbyllur kufijtë e tyre për njerëzit që udhëtojnë nga Britania e Madhe.