Qeveria gjermane është duke shqyrtuar mundësinë e imponimit të një ore policore mbarëkombëtare për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Helge Braun, shefi i stafit të kancelares Angela Merkel, tha për javoren “Der Spiegel” se qeveria së pari do të shikojë sjelljen e popullatës këtë fundjavë për të parë nëse kufizimet e lëshuara së fundmi janë ndjekur.
“E shtuna është një ditë e rëndësishme. Ne kemi vëmendjen tonë në atë ditë në veçanti”, tha ai.
Merkel planifikon të takohet të dielën me kryeministrat e 16 shteteve federale gjermane për të shqyrtuar masat antikoronavirus dhe të diskutojë mbi masat e mundshme të mëtejshme.
Gjermania është vendi i tretë i prekur nga pandemia e koronavirusit në Evropë, pas Italisë dhe Spanjës.
Ditën e premte, rastet e konfirmuara të koronavirusit u rritën në 16 666 dhe numri i vdekjeve ka arritur në 44, sipas statistikave të lëshuara nga autoritetet lokale të shëndetit.
Në fillim të kësaj jave, qeveria e Gjermanisë u bëri thirrje qytetarëve që të kufizojnë të gjitha angazhimet sociale, dhe vendosi të mbyllë dyqanet, baret dhe vendet sportive për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Por raportet për vazhdimin e tubimeve dhe piknikëve nëpër parqe në të gjithë vendin ngritën thirrjet për orë policore mbarëkombëtare në vend.