Në Komunën e Gjilanit sot ka nisur të mbahen garat komunale në lëndën e matematikës me të gjitha përgatitjet që janë bërë nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe kësaj gare sot po i nënshtrohen 120 nxënës nga të gjitha shkollat e Gjilanit nga klasat VI, VII dhe VIII.
Në fjalën e saj kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka uruar të gjithë nxënësit për suksese, duke i falënderuar ata për traditën pozitive të krijuar në Gjilan, në rrafshin e dijes me rezultatet e nxënësve talent në matematikë.
“Falënderojmë për punën e madhe që po bëhet bashkërisht me nxënësit, mësimdhënësit dhe DKA-në. Gjithmonë ndjehemi krenar me rezultatet e nxënësve nëpër gara e olimpiada mbarëkombëtare që organizohen nga klubi i matematikanëve. Posaçërisht na gëzon fakti që sot kemi të pranishëm edhe klubin “Paskal” nga Tetova, ku këtë vit me mbështetje të Komunës së Gjilanit organizojnë garën mbarëkombëtare, e cila do të mbahet në qytetin tonë”, ka thënë në fjalën e saj, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Kurse, Ushtruesja e Drejtorit të Arsimit, Shqipe Kastrati Haziri, ka thënë se rritja e konkurrencës së dijes përmes garave si kjo e sotmja, është një faktor shumë i sigurtë në ecjen tonë për rritjen e cilësisë në shkollat tona.
E nga ana e tij, kryetari i Klubit “Paskal”, Agim Buklla, ka falënderuar Komunën e Gjilanit dhe kryetarin Lutfi Haziri, për mbështetjen e dhënë në organizimit të garave mbarëkombëtare shqiptare në Gjilan. Ai tha se kjo garë po i paraprinë garës tre ditore, e cila do të organizohet me datat 19, 20 dhe 21 maj.
Ndryshe, rezultatet e testit publikohen gjatë ditës së sotme, pas orës 16:00, ndërsa ato zyrtare me datën 2 maj 2017.