Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, janë tërhequr nga veriu i Kosovës rreth orës 16.
Gjuriq, në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ka thënë se Beogradi ka pranuar kërkimfalje nga disa ambasada perëndimore, të cilat, siç shkruan B92, më parë kishin thënë se ROSU as që ka qenë prezent në veri.
“Kjo vetëm dëshmon se nga kush disa media vendore i kanë marrë informacionet se njësitet ROSU nuk janë në veri”, ka thënë Gjuriqi, transmeton Koha.net.
Ai tha se “me ndërhyrjen e njësisë speciale ROSU në Ujman”, dialogu mes Prishtinës e Beogradit po bëhet vazhdimisht e më i paqartë dhe kjo, sipas tij, është rezultat i sjelljes së papërgjegjshme dhe të papranueshme të Prishtinës.
Megjithatë, tha ai para mediave serbe, Serbia do t’i mposhtë ata që mendojnë se mund të luajnë në këtë mënyrë, ndërsa “ata që me papërgjegjësinë e tyre kanë bërë që dialogu mes Beogradit e Prishtinës të ketë këtë fat që e ka sot, vështirë se do ta shohin më presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel pas këtyre zhvillimeve”.
Gjuriqi theksoi se “është gënjeshtër se e tërë kjo që ndodhi sot ndodhi për ‘lojëra politike’ në Prishtinë”, sepse, siç tha ai, “askush nuk luan me luftën e paqen për gjëra të tilla”.
“Për këtë arsye nga Beogradi porosisim – mjaft më me lojëra”, tha Gjuriqi, duke kujtuar situatën para konfliktit izraelito-egjiptian, kur, siç tha ai, në mënyrë të ngjashme “kaluan kufijtë” 16 apo 17 herë, ndërsa “hera e 17 solli një prej konflikteve më të ashpra e më të përgjakshme”.
Ai njoftoi se në mbarë territorin e Serbisë në këto momente po zhvillohen aktivitetet të Ushtrisë së Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme në pajtim me urdhrin e dhënë nga presidenti serb Vuçiq, në mënyrë që, siç shtoi ai, të krijohen parakushte që një sjellje e tillë të ndërpritet.