Gjuriq: Nuk u besojmë aspak politikanëve shqiptarë

Prishtinë | 02 Kor 2017 | 10:08 | Nga

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Serbia ia ka dalë që të zgjedh që Asociacioni i komunave serbe (AKS) të bëhet universalisht i pranueshëm dhe që në formimin e tij të insistojnë edhe shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjuriq, në RTS foli edhe për takimin e nesërm mes presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq në Bruksel, duke thënë se ai takim “është edhe një mundësi tjetër” që Serbia të dëshmojë nevojën dhe dëshirën që ajo që është arritur gjatë dialogut me Kosovën të realizohet.

“Dialogu gjithmonë është shërues, mund të kontribuojë në lehtësimin e tensioneve dhe të punojë në implementimin e marrëveshjeve të dakorduara. Nesër do të takohen figurat politike serbe dhe të shqiptarëve të Kosovës dhe ne përmes dialogut i krijojmë kushtet për mbijetesë afatgjate të serbëve në Kosovë e Metohi”, ka thënë Gjuriq, transmeton Koha.net.

Duke shtuar se “AKS-ja është rezultat i politikës shtetërore të Serbisë” dhe i qeverisë së udhëhequr nga tashmë presidenti Vuçiq, Gjuriq tha se paqja dhe stabiliteti, me mbijetesën e serbëve në Kosovë dhe me ruajtjen e postulateve kushtetuese, janë qëllimi kryesor i Beogradit.

“Nuk u besojmë asnjë fjale të përfaqësuesve të palës tjetër, por jemi të gatshëm që përmes dialogut të ruajmë paqen. Presim që dora jonë e zgjatur të pranohet”, ka thënë ai.
Duke komentuar rolin e Listës Serbe në proceset e formimit të institucioneve të reja në Kosovë, Gjuriq ka thënë se serbët nuk duhet të jenë “vetëm dekor”, por fjala e tyre duhet të respektohet.

“Nëse në Maqedoni kryetari i Parlamentit mund të jetë përfaqësues i popullit pakicë, nuk ka arsye që në njërën nga tre funksionet kyçe në krahinën tonë jugore të mos jetë një serb”, ka vlerësuar Gjuriq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme