Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar më 1 vit burgim me kusht, Valon Loxhën, i cili ka pranuar fajësinë për dy vepra penale – vozitjen e dy veturave, një e Bashkësisë Islame dhe një e Komunës, duke shkaktuar veprën penale “Cënimi i paprekshmërisë së mjeteve motorike”.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ndaj të akuzuarit Loxha, gjyqtari Veton Ademaj fillimisht kishte shqiptuar nga 7 muaj burgim me kusht për dy veprat penale, e më pas ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 1 viti burgim me kusht.
Në aktgjykimin e përpiluar më 16 prill të këtij viti, thuhet se dënimi me burgim ndaj Loxhës nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy viteve.
I njëjti është obliguar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 20 euro, si dhe me pagesën e taksës për kompensim të viktimave të krimit në shumën prej 30 euro.
Palët e dëmtuara, Komuna e Pejës dhe Mustafë Lajqi, kanë hequr dorë nga kërkesa juridiko-pasurore.
Në aktgjykimin e Gjykatës së Pejës, thuhet se gjatë mbajtjes së seancës jo publike të shqyrtimit gjyqësor, më 8 prill 2021, Loxha e ka pranuar fajësinë për akuzat që i vihen në barrë.
Prokuroria Themelore në Pejë, më 26 mars 2021, kishte bërë propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri kundër të pandehurit Valon Loxha për dy vepra penale “Cenimi i paprekshmërisë se mjeteve motorike”.
Mirëpo, pas deklarimit të ekspertit të psikiatrisë forenzike lidhur me shëndetin mendor te të pandehurit, prokuroria kishte bërë zëvendësimin e propozimit, nga shqiptimi i masës së trajtimit të detyrueshëm në liri, në atë të kërkimit të shpalljes fajtor të të akuzuarit dhe dënimit të tij sipas ligjit.
“Me faktet e ofruara, si dhe pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit është vërtetuar gjendja faktike si në dispozitiv te aktgjykimit. Nga gjendja e vërtetuar faktike si është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës, pa dyshim rrjedh se në veprimet e të pandehurit Valon Loxha, qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale të Cenimi i paprekshmërisë se mjeteve motorike, nga neni 334, par.1, të KPRK-së. Gjykata nuk gjeti rrethana që përjashtojnë ndjekjen penale apo përgjegjësinë penale të pandehurit dhe i njëjti është penalisht përgjegjës. Sa i parket fajësisë i pandehuri është i vetëdijshëm për veprën e kryer dhe atë e ka kryer me dashje.”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës së Pejës.
Sipas aktgjykimit, duke vendosur lidhur me llojin dhe lartësinë e dënimit, gjykata ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese, si pranimi i fajësisë e faktin se i njëjti me parë nuk ka qenë i dënuar dhe nuk udhëhiqet ndonjë procedurë tjetër penale ndaj tij. Ndërsa, thuhet se gjykata nuk gjeti rrethanë rënduese.
“Sipas bindjes së gjyqtarit, dënimi i shqiptuar, duke i marrë për bazë rrethanat e përmendura më lartë, është dënim i drejtë, në harmoni me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë së të pandehurit. Gjyqtari i vetëm gjykues, gjithashtu ka konstatuar se me këto dënime mund të arrihet edhe qëllimi i dënimit, nga neni 41 i KPRK, i cili konsiston në parandalimin e të pandehurit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij; të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.”, thuhet në aktgjykim.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të përpiluar më 26 mars 2021, Valon Loxha akuzohet se më 24 shkurt 2021, rreth orës 04:35 minuta, në rrugën “Lidhja e Pejës”, saktësisht tek parkingu i Bashkësisë Islame K. Pejë, në mënyrë të kundërligjshme hyn në veturën e morgut, të llojit “Hyundai”, veturë kjo në pronësi te të dëmtuarit Mustafë Lajqi, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri hyn në veturën e lartcekur dhe të njëjtën e ndezë, përderisa e njëjta ishe në parking dhe largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të Mitrovicës, ku me pas ndalohet nga policia dhe lajmërohen organet policore të Pejës.