Gjykata dënon me shtatë vjet burgim një person për grabitje

Prishtinë | 08 Dhj 2022 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.K për shkak se në bashkëkryerje e në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Grabitje”.

Personi në fjalë është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë vjetëve, njofton Klan Kosova.

Dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 04.03.2020 deri me datë 08.12.2022.

“Ndërsa  për  veprën penale, dispozitivi ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve’, gjykata i shqiptoi dënim gjobë në shumën prej njëmijë erosh”.

“Sa i përket veprës penale në bashkëkryerje e në vazhdimësi, Grabitje  nga neni 317 paragrafi 3  lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPK-së, të njëjtin gjykata e liroi nga akuza, në mungesë të provave”.

“I akuzuari B.K detyrohet që të dëmtuarit S.G  t’ia paguajë dëmin në shumë prej 280 euro, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa sa i përket të dëmtuarës ‘Exfis’ e njëjta udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil, i akuzuari po ashtu detyrohet që të paguajë shpenzimet gjyqësore sipas fletë shpenzimit të kësaj gjykate në shumën prej 500 euro, ndërsa në Fondin e viktimave shumën prej 50 euro”.

“Me aktvendim të veçantë të akuzuarit B.K i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar”.

“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtën e ushtrimit të ankesës, në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.

Të ngjashme