Gjykata e dënon imamin nga Peja për ryshfet, BIK-u nuk di asgjë

Prishtinë | 04 Qer 2017 | 13:11 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë, gjashtë ditë më parë ka shpallur akvendimin, sipas të cilit imami nga Peja, Zuhdi Hajzeri, dënohet me një vit burgim me kusht, për përfshirje në afera korruptive, por Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ende nuk di sgjë dhe nuk ka marrë asnjë vendim rreth këtij rasti.

Sipas vendimit të Gjykatës, Hajzeri, përveç burgimi me kusht, është gjobitur edhe me 1 500 euro. Ai nuk do të përfundojë prapa grilave, nëse nuk kryen vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh.

Të kontaktuar nga Telegrafi, zyrtarët e BIK-ut, në Pejë, nuk kanë preferuar ta komentojnë rastin, duke thënë se për masa konkrete mund të vendosë qendra.

Në anën tjetër zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë për Telegrafin se ata nuk kanë njohuri për këtë vendim, dhe si të tillë nuk mund ta komentojnë.

“Nuk jemi në njohuri për këtë vendim. Tash prej jush po e dëgjojmë”, ka theksuar Sadriu. Përveç imamit nga Peja, pjesë e skemës së mashtrimit për punësime në PTK, ishin edhe Gazmend Isufi, Agim Zeqiri, Veton Morina, Nexhivane Daka, Gëzim Curri, Valon Kuçi.

Derisa Isufi (ish-zyrtar i lartë i PTK-së), është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit burg me kusht dhe 5 mijë euro gjobë, Agim Zeqiri, ka marrë dënimin prej 1 vit e gjashtë muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 1 mijë eurosh. Veton Morinës iu shqiptua dënimi një vit burg me kusht dhe një gjobë prej një mijë eurosh, ndërsa Nerxhivane Daka, Gëzim Curri e Valon Kuçi, u dënuan me nga gjashtë muaj burg me kusht dhe me nga 500 euro gjobë, shkruan Telegrafi.

Imami nga Peja, Zuhdi Hajzeri, ishte bërë pjesë e një skeme të mashtrimit për punësime në PTK, duke pranuar mijëra euro për t’i punësuar disa të afërm të tij në këtë institucion, gjë të cilën nuk e ka realizuar.

Hajzeri, më 27 nëntor 2014 dyshohet t’i ketë marrë 20 mijë euro kesh që më pas t’i dorëzojë te zyrtari i lartë i PTK-së, Gazmend Isufi, për t’i punësuar disa persona në Posten e Pejës. Krejt kjo punë është kryer në restorantin “Gjahtari” në Kijevë të Malishevës. Zyrtarit Isufi, kjo dallavere i ka kushtuar me arrestim dhe suspendim nga puna, vitin e kaluar.

Imami Hajzeri dhe Gazmend Isufi kishin mashtruar disa persona, me pretendimet se ata do të punësohen në PTK, duke ua marrë një shumë të majme të parave. Vlera e parave që ata i kanë marrë një presoni sillet nga 3 mijë e deri në 5 mijë euro, kishte raportuar GazetaExpres, kohë më parë.

Disa nga ata që kanë rënë pre e këtij mashtrimi më pas kanë treguar detajet se si ka rrjedhur kjo ngjarje.

Për rastin në fjalë, aso kohe ka qenë i njoftuar edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj. Ai kishte theksuar se rastin e ka paraqitur edhe në Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Jo me personin në fjalë nuk ka diskutuar kurrë për këtë çështje. Ai nuk ka shprehur interesim të flasë për këtë punë. As unë nuk ka insistuar, pasi kam konsideruar se është më shumë çështje private dhe nuk ka të bëjë direkt me punën tonë”, kishte thënë Arifaj.

Pjesë e këtyre mashtrimeve dhe tentimeve për t’u punësuar në PTK, përmes imamit Zuhdi Hajzeri dhe Gazmend Isufit, zyrtar i lart në këtë institucion, janë edhe Selim Hajzeri – djali i mixhës së Hajzeri, Gezim Curri – dhëndri i këtij imami dhe Valon Kuqi – imam në fshatin Lutogllavë.

Madje, Curri kishte hyrë në kredi për t’i paguar 3 mijë eurot Hajzerit që të punësohet në PTK, por që nuk është punësuar kurrë. Ndërsa, imami Kuqi paratë i kishte dhënë për ta punësuar vëllain e tij. Shuma shkonte deri në 3 mijë Euro, e edhe pse asnjëherë nuk u krye punësimi, paratë nuk i janë kthyer asnjëherë.

Pre e mashtrimeve të imamit Hajzeri, kishte rënë edhe Fuad Hoxhaj – sekretar i KBI-së në Pejë. Ai ka paguar 5 mijë euro që të punësohet miku i tij, Egzon Rama. As atij puna nuk i është kryer kurrë, e as paratë s’i janë kthyer.

Paratë nuk ju kthyen as Muhamed Mavraj , arkëtarit në MBI, që pagoi 5 mijë euro që t’i punësohet vëllai i tij në postë, Mentor Mavraj.

Por, njëjtë nuk ndodhi edhe me Irfan Beqiraj nga komuna e Deçanit. Shuma prej 3 mijë euro që ai pagoi te Zuhdi Hajzeri, për t’u punësuar në Postë, më pas i ishte kthyer.

Këta persona janë intervistuar si viktima nga Policia e Kosovës. Ata ishin marrë në pyetje nga Idriz Gashi, hetues për krime të rënda ekonomike.

Hajzeri, nuk ka folur në asnjë rast për këtë çështje, derisa, para se t’i jepej vendimi nga Gjykata, ishte intervistuar tri herë ne stacionin e Policisë në Prishtinë. Atij i ishin gjetur 6 mijë euro të transferuar në bankën TEB. Këto mjetet i ishin transferuar nga Gazmend Isufi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme