Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim Smajl Latifin, kryetarin e Komunës së Rahovecit.
Kështu ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook vetë Latifi.
“Sot kam pranuar një ftesë për t’u paraqitur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë. Kam qenë i vetëdijshëm se rrugë tjetër për çlirimin e popullit shqiptar përveç luftës së armatosur nuk ka. Zaten, kjo është mënyra e vetme për të hequr robërinë popujt e pushtuar. I bindur në këtë pikëpamje, gjithnjë jam munduar që të bëj më të mirën për vendin tim, pa i cenuar vlerat morale të kombit shqiptar, të dëshmuara në luftë dhe në paqe”, ka thënë ai.
I njëjti shton se është i bindur se asnjë forcë nuk mund të përbalt luftën e drejtë clirimtare.
“ Jam thellësisht i bindur se asnjë forcë në botë nuk do të arrijë të përbalt luftën tonë të drejtë çlirimtare, sepse mbi çdo skenar dashakeqës qëndron parimi i popujve për liri dhe të drejta kombëtare. Prandaj, luftërat çlirimtare nuk mund të gjykohen, sepse përmbajnë në vete parimin e shëndoshë të humanizmit dhe të drejtësisë. Parime këto të përqafuara dhe të përfaqësuara nga kombet e civilizuara e të përparuara të botës Perëndimore”, ka thënë ai.
“Besoj në drejtësinë dhe asnjëherë nuk do të hezitoj të vihem në mbrojtje të të drejtës për liri e dinjitet njerëzor e kombëtar dhe jam gati të përballem me çfarëdo sfide. Mbetem i përkushtuar në sendërtimin e idealeve të kombit shqiptar dhe nga kjo rrugë nuk ka forcë që të më shkëpusë”, përfundoi Latifi.