Gjykata Speciale e cila do t’i trajtojë rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, nën dyshimet për krimet të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, pritet që t’i japë të drejtë edhe avokatëve vendës të përfshihen në këtë proces, në rolin e avokatëve mbrojtës.
Zyrtarja për informim e këtij institucioni, Avis Benes, ka thënë për Indeksonline, se çdo i akuzuar para Dhomave të Specializuara të Kosovës ka të drejtë të zgjedh një mbrojtës, në qoftë se mbrojtësi i përmbush kushtet.
“Në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Rregulloren e Procedurës dhe të Provave, çdo i akuzuar para Dhomave të Specializuara të Kosovës ka të drejtë të zgjedh një mbrojtës, në qoftë se mbrojtësi i përmbush kushtet. Për të ushtruar profesionin para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe për t’u emëruar ose caktuar si mbrojtës i specializuar i një të akuzuari, një avokat duhet të përmbushë disa kritere në lidhje me përgatitjen profesionale”, ka thënë ajo.
Benes ka treguar se kriteret përkatëse përcaktohen në dokumentin e quajtur Direktivë për Mbrojtësit, i cili pritet të miratohet nga Administratorja në periudhën në vijim, pas miratimit prej Kryetares.