Prokuroria e Specializuar për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, ka rritur dinamikën e ftesave për intervistim të personave të caktuar, ndonëse nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë të personave të intervistuar deri më tash.
Vetëm në muajin e fundit, të ftuar për intervistim janë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, por edhe përfaqësues politikë të Kosovës.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett , i pyetur nga Radio Evropa e Lirë se sa është numri i të intervistuarve të deritashëm dhe se kur mund të priten aktakuzat e para, ka theksuar që kjo zyrë “nuk ka dhënë ndonjë informacion mbi hetimet e saj dhe nuk do ta bëjë këtë për arsye etike, ligjore dhe profesionale”.
“Zyra e Prokurorit Special, mes tjerash, ka autoritetin që të kërkojë praninë dhe intervistojë këdo në lidhje me dyshimet, viktimat dhe dëshmitarët, të mbledhë dhe të ekzaminojë informacione dhe prova dhe të marrë vendime për fillimin dhe vazhdimin ose përfundimin e procedurës penale. Hetimet po vazhdojnë”, ka thënë Bennett.
Rreth një muaj më parë, përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, patë theksuar se janë rreth 100 persona që i janë përgjigjur kësaj organizate, të cilët kanë qenë të ftuar nga Prokurori i Specializuar me seli në Hagë, por që nuk ka të dhëna se sa janë në cilësinë e dëshmitarëve dhe sa në cilësinë e të dyshuarve.
Së fundmi, ftesa për intervistim nga Prokuroria Speciale kanë pasur ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj dhe Fadil Beka, ish-komandant i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, Kadri Kastrati, ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dhe disa ish-eprorë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së apo veteranë të luftës.
Të premten, një ftesë për intervistim e ka marrë edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi. Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nga Prokurori i Specializuar është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit.
“Intervistimi mund të bëhet edhe në Kosovë, në cilësinë e dëshmitarit. Ne, sikur edhe më herët, në gjyqet e ndryshme që janë zhvilluar në Kosovë, por edhe në Hagë, nga koha e UNMIK-ut, por edhe nga prokuroritë dhe gjykatat tjera të organizuara qoftë vendore apo ndërkombëtare, ne pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u jemi përgjigjur, pa marrë parasysh në çfarë cilësie. Prandaj, zotohemi dhe jemi zotuar që edhe në këtë, Gjykatën Speciale, e cila është në bazë të ligjit, do t’i përgjigjemi në çdo kohë dhe në çdo vend”, ka thënë Ibishi.
Arianit Koci, avokat nga Kosova, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon që krimet e pretenduara të luftës janë komplekse dhe rrjedhimisht, sipas tij, edhe hetimet janë komplekse.
Për këtë arsye, siç thotë ai, Prokuroria është duke ftuar shumë dëshmitarë, por edhe të pandehur apo të dyshuar, sepse dëshiron që në mënyrë të detajuar ta hetojë dhe qartësojë çdo pretendim.
Avokati Koci thekson që nuk dëshiron të spekulojë se kur mund të priten aktakuzat e para, por sipas tij, ekzistojnë sinjale se kjo mund të ndodhë shpejt.
“Kur ftohet një i pandehur për dhënien e mbrojtjes, atëherë konsiderohet që hetimi për atë rast është në përfundim e sipër. Natyrisht, që mundet ai hetim edhe të zgjerohet ose që prokurori të kërkojë të sqarojë detajet shtesë, por kryesisht, i pandehuri ftohet në fund, pasi që janë mbledhur të gjitha provat materiale, por edhe dëshmitë e dëshmitarëve. Unë supozoj që nuk është e largët koha kur do të ngrihen aktakuzat e para me vetë faktin që disa të pandehur janë ftuar që ta japin mbrojtjen e vet”, thekson Koci.
Sidoqoftë, Prokuroria e Specializuar, deri më tash, ka intervistuar edhe disa nga ish-figurat e larta të UÇK-së, që pas luftës, ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, sikurse Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja, por edhekryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar, janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, në të cilin flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.