Para pak ditësh, Dhomat e Specializuara të Kosovës, në faqen zyrtare kanë publikuar një raport në të cilin kanë dhënë detaje të punëve e aktiviteteve që kanë bërë përgjatë vitit të kaluar.
Në këtë dokument thuhet se në vitin 2019 prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe hetuesit kanë intervistuar viktima, dëshmitarë dhe të dyshuar në Kosovë, rajon, Holandë e vende të treta.
Gjithashtu kanë treguar se gjatë tetorit të vitit 2019 kanë arritur një marrëveshje me Shërbimin Holandez të Burgjeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës rreth përgatitjeve për qendrën e paraburgimit.
“Në tetor, është arritur një marrëveshje me Shërbimin Holandez të Burgjeve dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme për përgatitjen e objektit të ndalimit. Në fund të vitit 2019, është përfunduar edhe përzgjedhja e oficerëve të paraburgimit”, thuhet në raport.
Gjithashtu thuhet se janë përgatitur edhe rregullat e ndalimit dhe janë caktuar gjithashtu edhe rregullat e trajtimit të personave që do të ndalohen.
“Rregullat janë hartuar në përputhje me standardet e aplikueshme ndërkombëtare, përfshirë një pjesë të Rregullave Evropiane për të Burgosurit dhe Standardet e Kombeve të Bashkuara rreth rregullave minimale të trajtimit të të burgosurve që shpesh edhe u referohen si Rregullat e Nelson Mandelës”, specifikon Raporti, transmeton Gazeta Express.
Raporti gjithashtu përfshinë edhe një deklaratë të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Jack Smith.
Smith thotë se Prokuroria Speciale e Hagës është institucion i pavarur dhe se nuk bën kalkulime politike.
“ Të gjitha vendimet për akuza do të jenë të bazuara vetëm në ligj dhe në fakte. Zyra e Prokurorit të Specializuar është një institucion i pavarur. Nuk bën kalkulime politike dhe kryen punën në mënyrë objektive, profesionale dhe paanshme”, ka thënë Smith.
Ai tutje ka thënë se fokusi kryesor i punës së Prokurorisë Speciale është mbajtja në përgjegjësi e individëve për krimet që provohen pas një dyshimi të bazuar.
“Hetimi që unë drejtoj nuk është sfidim i ndonjë pjese të narrativës historike, por kërkon të mbajë përgjegjës individët për veprimet e tyre brenda periudhës që është në mandatin e Prokurorisë së Specializuar”, citohet Smith në këtë Raport.