Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e PDK-së për rivotim në Mitrovicë

Prishtinë | 20 Nën 2025 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kërkonte përsëritjen e balotazhit për kryetar të Mitrovicës.

PDK-ja pretendonte parregullsi në proces, përfshirë fletëvotime të përziera dhe probleme teknike me numrat serikë, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas Supremja konstatuan se këto pretendime nuk ishin dëshmuar.

Sipas vendimit të Supremes, nuk ka pasur shkelje substanciale që do të mund të ndikonin në integritetin ose rezultatin e zgjedhjeve.

“Gjykata Supreme konstaton se asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar dhe nuk ekziston bazë ligjore që të provojë se ka pasur shkelje të natyrës substanciale që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar, andaj, vlerësoi se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi”, thuhet në njoftim të Supremes.

Në balotazh, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, kishte mposhtur kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri.

Të ngjashme