Gjykata Themelore e Gjilanit edhe këtë vit ka vazhduar me një trend pozitiv të zgjidhjes së lëndëve, njëherit duke i dhënë përparësi lëndëve të vjetra që janë grumbulluar ndër vite.
Prioritet i’u është dhënë edhe lëndëve të korrupsionit, ku vetëm gjatë këtij viti janë zgjidhur 52 lëndë të kësaj natyre, nga këto lëndë të kryera kemi Aktgjykime me dënim burgimi, Aktgjykime me dënime me kusht, Aktgjykime lirues dhe refuzuese.
Lëndë të kësaj natyre kanë mbetur edhe 41 lëndë dhe janë kryesisht lëndë të reja, që kanë ardhur këtë vit.
Gjatë këtij viti në gjykatën tonë kemi trashëguar dy lëndë për terrorizëm, pesë lëndë i kemi pranuar, ndërsa kemi kryer 6 lëndë, që do të thotë ka mbetur vetëm një lëndë pa u zgjidhur.
Këto të dhëna janë publikuar në konferencën përmbyllëse nga kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Mr. Sc. Zyhdi Haziri, cili më tej ka përmendur zvogëlimin e numrit të lëndëve në Departamentin e Krimeve të Rënda.
“Një prej arritjeve më të mëdha në Gjykatën Themelore të Gjilanit, është zvogëlimi i numrit të lëndëve në Departamentin e Krimeve të Rënda, dhe kjo shihet që në fillim të vitit 2016 kemi trashëguar 525 lëndë, ndërsa ky numër i lëndëve në fund të këtij viti ka rënë në 378 lëndë. Numri i lëndëve të pranuara në këtë departament për këtë vit ka qenë 323 lëndë, ndërsa pesë gjyqtarët e këtij departamenti kanë zgjidhur 470 lëndë për vitin 2016”, tha Kryetari Haziri.
Vetëm gjatë vitit 2016, gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Gjilanit kanë shpallur Aktgjykime me dënim burgimi ndaj 295 personave.
Në bazë të dhënave statistikore Gjykata Themelore e Gjilanit me Degët e saja në Viti, Kamenicë dhe Novobërdë, gjatë vitit 2016 ka pranuar në punë 47.020 lëndë, ndërsa ka arritur të zgjidh 52.352 lëndë, në punë kanë mbetur edhe 22.339 lëndë.
Një rëndësi të madhe ne si gjykatë i kemi dhënë edhe rritjes së transparencës me veprimet e ndërmarra, përmes përdorimit aktiv të ueb-faqes së gjyqësorit dhe njoftimit të OJQ-ve për numrin e lëndëve të zgjidhura dhe çështjet tjera në këtë aspekt.
Gjithashtu gjatë këtij viti kemi filluar edhe publikimin e Aktgjykimeve të plotfuqishme në ueb-faqen e gjykatës.