Gjykatësi Eroll Gashi në kundërshtim me ligjin aprovoi propozimin e ish-konsullit për tërheqjen e kundërshtimit ndaj aktgjykimit me urdhër ndëshkimor

Prishtinë | 23 Sht 2023 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, në kundërshtim me ligjin, në seancën gjyqësore të 12 shtatorit 2023, ka aprovuar propozimin e mbrojtjes për tërheqjen nga kundërshtimi i urdhrit ndëshkimor, në rastin ku ish-konsulli Kadri Balaj akuzohej për mosraportim të pasurisë.

Balaj akuzohej se në cilësi të Konsullit në Misionin Diplomatik të Republikës së Kosovës në Podgoricë të Malit të Zi, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë pas përfundimit të mandatit nga funksioni brenda afatit prej 30 ditësh në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 shtator 2021, kishte ngritur aktakuzë me kërkesë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, gjykatësi Eroll Gashi më 15 mars 2022, kishte nxjerrë aktgjykim me urdhër ndëshkimor dhe ndaj të akuzuarit Balaj kishte shqiptuar dënimin prej 500 euro gjobë.

Ky vendim i gjykatësit Gashi, kishte ardhur pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht prokurori rastit Arianit Salihu më 29 shtator 2023, kishte dorëzuar në gjykatë aktakuzën me kërkesë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor.

Me këtë aktakuzë, prokurori Salihu i kishte propozuar gjykatës që ndaj të akuzuarit Balaj të shqiptohej një dënim me gjobë.

Mirëpo, duke mos u pajtuar me dënimin e shqiptuar, i akuzuari Balaj ndaj aktgjykimit me urdhër ndëshkimor kishte paraqitur kundërshtim.

Në kundërshtimin që mban datën 15 prill 2022, i emërtuar si “Ankesë”, i akuzuari Balaj ndër të tjera ka theksuar se kundërshtimin e parashtron për shkak të shkeljes së Ligjit Penal dhe për shkak të vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike.

“I gjithë boshti i kësaj aktakuze është i mbështetur në pretendime të pabaza dhe të paargumentuara. Prokuroria duke vepruar në mënyrë tërësisht të njëanshme ka bërë kundërshtim të provave të siguruara gjatë periudhës hetimore që është zhvilluar ndaj z.Kadri Balaj”, thuhet në arsyetimin e këtij kundërshtimi.

Meqenëse ishte parashtruar kundërshtim, gjykata kishte caktuar seanca për shqyrtimin gjyqësor, konkretisht më 24 maj 2023 dhe më 7 gusht 2023, por të cilat seanca kishin dështuar të mbaheshin.

Në seancën e mbajtur më 12 shtator 2023, e cila ishte caktuar pas dy seancave të dështuara, para fillimit të saj, gjykatësi Eroll Gashi njoftoi mbrojtjen se kanë të drejtë të tërhiqen nga kundërshtimi dhe se sipas tij tërheqja nga kundërshtimi mund të bëhej para leximit të aktit akuzues nga ana e Prokurorisë.

“Na për sot e kemi caktu shqyrtimin, por nëse doni ju, ligji e lejon që para se me u lexu aktakuza keni drejt me heq dorë nga kundërshtimi”, tha gjykatësi Gashi në seancën e 12 shtatorit.

Andaj, para se të lexohej akti akuzues, mbrojtësi i të akuzuarit Balaj, avokati Nazim Mehmeti, tha se në konsultim me të mbrojturin e tij vendosën që të tërhiqen nga kundërshtimi dhe mos të vazhdojnë me shqyrtimin kryesor.

Kërkesa për tërheqje nga kundërshtimi, nuk u kundërshtua as nga prokurorja Elza Bajrami, e cila e përfaqësonte aktin akuzues.

“Pajtohemi për shkak se është e drejtë e palës të tërhiqet nga kundërshtimi dhe të mbetet në fuqi aktgjykimi i gjykatës”, tha prokurorja Bajrami.

E këtë propozim, e ka aprovuar gjykatësi Gashi, duke lënë në fuqi vendimin e 15 marsit 2022, me dënimin prej 500 euro gjobë ndaj të akuzuarit Balaj.

“Miratohet propozimi i mbrojtësit të të pandehurit Kadri Balaj, avokatit Nazim Mehmeti për tërheqjen nga kundërshtimi, andaj që nga ky moment aktgjykimi i datës 15 mars 2022 bëhet i formës së prerë”, tha gjykatësi Gashi.

Por, një aprovim i tillë nga gjykata është bërë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, pasi që sipas këtij kodi i akuzuari nuk mund të tërhiqet nga kundërshtimi pas caktimit të shqyrtimit gjyqësor.

Si parashihet procedura për dhënien e urdhrit ndëshkimor sipas Kodit të Procedurës Penale?
Sipas Kodit Nr. 08/L-032 të Procedurës Penale, përkatësisht nenit 493, kërkesa për urdhër ndëshkimor parashtrohet për veprat penale për të cilat parashihet dënim me gjobë ose burgim deri në 3 vjet.

“…prokurori i shtetit mund të kërkojë në aktakuzë që gjykata të jep urdhër ndëshkimor, në të cilin të akuzuarit do t’i shqiptojë dënim përkatës pa e mbajtur shqyrtimin gjyqësor”, thotë neni 493 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, nëse i referohemi nenit 495, par. 1, thuhet se: “Kur gjyqtari i vetëm gjykues pajtohet me kërkesën, ai jep urdhër ndëshkimor me aktgjykim”.

Tutje, sipas paragrafit 2 të nenit 496, i pandehuri ose mbrojtësi i tij në afat prej 8 ditësh pas pranimit të aktgjykimit mund të paraqesin kundërshtim. Mirëpo, në të njëjtin paragraf është paraparë që i pandehuri nuk mund të tërhiqet nga kundërshtimi pas caktimit të shqyrtimit gjyqësor.

“…I akuzuari mund të heqë dorë nga e drejta në kundërshtim, por nga kundërshtimi i paraqitur nuk mund të tërhiqet pas caktimit të shqyrtimit gjyqësor. Pagimi i gjobës para kalimit të afatit për kundërshtim nuk konsiderohet heqje dorë nga e drejta në kundërshtim”, thuhet në vazhdimin e këtij paragrafi.

Në rastin konkret, ka pasur kundërshtim të paraqitur nga i akuzuari Balaj si dhe janë caktuar dy seanca të shqyrtimit gjyqësor, e që të dy seancat kishin dështuar të mbaheshin.

Pra, aprovimi për tërheqje nga kundërshtimi ishte bërë nga gjykatësi Gashi, pavarësisht që kishin dështuar dy seanca dhe që për të tretën herë nuk ishte vazhduar me shqyrtim gjyqësor por ishte aprovuar propozimi për tërheqje nga kundërshtimi.

Çka deklaruan gjykatësi Gashi, prokurori rastit dhe mbrojtja lidhur me këtë çështje?
Lidhur me këtë çështje, “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar informata nga gjykatësi Gashi, i cili në përgjigjen e tij ndër të tjera ka thënë se lënda tashmë ka marrë formën e prerë.

“Të gjitha këto informacione dje i kam sqaruar në seancë. Përmes SMIL—it shihen të gjitha këto informacione, kur është ngrit aktakuza, kur është lëshuar aktgjykimi, kur është ushtruar kundërshtimi, kur është caktua seanca dhe në seancë dje është monitoruar edhe nga IKD-ja, të cilët edhe kanë njoftuar gjykatën se do të bëjnë edhe videoincizim, e që në këtë seancë të gjitha këto veprime gjykata iu ka sqaruar shkurtimisht, e që dje kjo lëndë ka marrë formën e prerë dhe është urdhëruar që të dorëzohet në shkrimore, tani më kjo lëndë nuk është në zyrën time”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

“Betimi për Drejtësi”, po ashtu kërkesë për informata ka dërguar edhe për prokuroren e cila ka përfaqësuar aktakuzën në seancën e 12 shtatorit, Elza Bajrami.

E njëjta për këtë çështje përmes telefonit ka thënë se nuk ka kurrfarë ndalese ligjore që pala të tërhiqet nga kundërshtimi edhe pasi që është caktuar shqyrtimit gjyqësor.

“Ajo është e drejtë e palës që në momentin që tërhiqet do të thotë mbetet vendimi në fuqi, nuk ka kurrfarë ndalese prej Kodit të Procedurës Penale që pala me u tërheq prej kundërshtimit dhe me mbet aktgjykimi me urdhër ndëshkimor”, ka thënë Bajrami.

Për më shumë informata, ajo tha që t’i drejtohemi prokurorit të çështjes (Arianit Salihut), pasi që e njëjta atë ditë vetëm kishte përfaqësuar në seancë.

Kurse, prokurori i çështjes Arianit Salihu ka thënë se në lidhje me këtë rast për të gjitha pyetjet duhet t’i drejtohemi zyrës së mediave e jo përmes telefonit.

“A ka mundësi të lutem krejt çka ka përmes zyrës së mediave, çka ki dërgoja zyrës së mediave dhe pastaj iu përgjigjem atyre”, tha prokurori Salihu.

“Betimi për Drejtësi”, më 12 shtator 2023, ka dërguar kërkesë për informata në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, mirëpo deri në publikimin e këtij raporti nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Kurse, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, avokati Nazim Mehmeti, ka thënë se këtë çështje e ka vlerësuar gjykata dhe sipas tij një gjë të tillë e lejon ligji.

“Gjyqtari i çështjes e vlerësoi, edhe e lejon ligji në seancën e parë. Unë në praktikë nuk kam pas të kësaj natyre, por më tregun që po lejohet”, tha avokati Mehmeti.

Avokati Mehmeti tha se si mbrojtje gjithmonë veprojnë në interes të palës, por duke shtuar se këtë gjë gjykata e arsyeton më së miri.

Gjithashtu, “Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të kontaktojë edhe me vetë të akuzuarin Balaj, por i njëjti përmes avokatit të tij Mehmeti ka thënë se nuk dëshiron të deklarohet lidhur me këtë çështje.

Çka thotë ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, njëherit ish-kryetar i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani?
Për të marrë një opinion në lidhje me këtë rrethanë, “Betimi për Drejtësi”, ka provuar të kontaktojë edhe ish-gjyqtarin e Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani, i cili ka thënë se nëse caktohet shqyrtimi gjyqësor në të tilla raste, ai duhet të mbahet sipas rregullave sikur s’ka ekzistuar fare urdhëri ndëshkimor.

“….më nuk ka të drejtë me vlerësu më ligjshmërinë por menjëherë caktohet shqyrtimi gjyqësor. Nuk e njeh ligji institutin e heqjes dorë nga kundërshtimi domethënë ajo është një procedurë arbitrare që se njeh ligji… ti ke caktu shqyrtim gjyqësor edhe tash duhesh me mbajt shqyrtimin gjyqësor sipas rregullave sikur s’ka ekzistu fare urdhëri ndëshkimor”, ka thënë Hasani.

Çka thotë akti akuzues i Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 shtator 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kadri Balaj në cilësi të Konsullit në Misionin Diplomatik të Republikës së Kosovës në Podgoricë të Malit të Zi, funksion i cili kualifikohet në kuadër të Zyrtarëve të Lartë Publikë, sipas nenit 3 par.1, pika 1,1,12 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, me dashje ka vepruar në kundërshti me nenin 10 të këtij ligji, në atë mënyrë që nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni brenda afatit prej 30 ditësh në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë (AKK) dhe pse të akuzuarit me vendim të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka përfunduar mandati më 20 shkurt 2020.

Me këtë, i njëjti sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, par.1 i Kodit Penal.

Të ngjashme