Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka nisur sot detyrën e re. Ai ka marrë të hënën detyrën nga ish-kryeministri Zoran Zaev në një ceremoni, më pas ka bërë disa takime me zyrtarë të huajë dhe është pritur nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
Në takim me presidentin e vendit, Kovaçevski kishte gjithë kabinetin që u votua mbrëmë në Kuvend dhe ai përbëhet nga 10 shqiptarë apo fiks gjysma e anëtarëve nëse nuk llogaritet shefi i Qeverisë.
Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, resorët qeveritarë janë ndarë thuajse 50:50, pa llogaritur këtu postin e kryeministrit.
Në qeverinë e re të Maqedonisë janë gjashtë shqiptarë nga BDI-ja, tre nga Alternativa dhe një nga LSDM-ja, prej nga vjen edhe kryeministri.
Shqiptarët në qeverinë e re kanë një post të zv.kryeministrit dhe nëntë të ministrave.
Në qeverinë e kaluar, në krye me Zaevin, ishin tetë shqiptarë në Qeveri.
Po ashtu, kryetar i Kuvendit tash e dy mandate është një politikan shqiptar, Talat Xhaferi.
Përbërja e re e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut:
Kryeministër – Dimitar Kovaçevski
Zëvendëskryeministre për Luftë kundër Korrupsionit – Sllavica Gërkovska
Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike – Fatmir Bytyqi
Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane – Bojan Mariçiq
Ministër i Punëve të Brendshme – Oliver Spasovski
Ministër i Punëve të Jashtme – Bujar Osmani
Ministre e Mbrojtjes – Sllavjanka Petrovska
Ministër i Financave – Fatmir Besimi
Ministër i Drejtësisë – Nikolla Tupançevski
Ministër i Sistemit Politik – Artan Grubi
Ministre e Kulturës – Bisera Kostadinovska Stojçevska
Ministër i Shëndetësisë – Bekim Sali
Ministër i Bujqësisë – Lupço Nikollovski
Ministre e Punës dhe Politikës Sociale – Jovana Trençevska
Ministër i Transportit dhe Lidhjeve – Bllagoj Boçvarski
Ministër i Ekonomisë – Kreshnik Bekteshi
Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Jeton Shaqiri
Ministër i Ekologjisë – Naser Nuredini
Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Admirim Haliti
Ministër i Vetëqeverisjes Lokale – Goran Milevski
Ministër pa resor, përgjegjës për Diasporën – Xhemail Çupi