Austri, qeveria kalimtare merr detyrën

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Qeveria kalimtare në Austri, në krye me ish-kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Brigitte Bierlein, sot dha betimin dhe mori detyrën, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia solemne e betimit u zhvillua në Pallatin Hofburg ndërsa qeveria e udhëhequr nga kancelarja e parë në historinë e Austrisë, Bierlein do të udhëheq vendin deri në zgjedhjet parlamentare të caktuara për në shtator.
Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen shprehu bindjen se kancelarja Bierlein dhe kabineti i saj do të përfaqësojnë vendin në skenën vendore dhe ndërkombëtare në një mënyrë dinamike dhe simpatike.

Në kabinetin e kancelares Bierlein, betimin e dhanë 12 ish-zyrtarë dhe zyrtarë të lartë aktualë austriakë.

Qeveria e kancelarit të deritashëm Sebastian Kurz ra të hënën e kaluar pasiqë shumica në Parlament votuan mosbesimin e qeverisë.

Ky është epilogu i video-skandalit të publikuar në të cilën ish-udhëheqësi i të djathtës ekstreme austriake dhe zëvendës kancelari Heinz-Christian Strache, i ofron mbesës së rreme të pasanikut rus kontrata me shtetin në këmbim të mbështetjes financiare të partisë së tij politike.

Strache pas kësaj dha dorëheqje si zëvendës-kancelar ndërsa Kurz bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe i dha fund koalicionit të Partisë së tij Konservatore Popullore (OeVP) me Partinë e Lirisë të ekstremit të djathtë (FPOe).

Të ngjashme