Meta me mëngjes thërret konferencë, tregon se a do të ketë zgjedhje

Prishtinë | 25 Qer 2019 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dalë në një konferencë për shtyp mëngjesin e së martës për të komentuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor që u mor një ditë më parë.

Sipas kreut të Shtetit, vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk e prek aspak dekretin e Presidentit të Republikës, por ai ka efekt vetëm kundrejt palëve në proces.

“Vendimi i Kolegjit ka të bëjë me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e PS dhe organizatës socialiste në KQZ që duan të bëjnë këtë proces zgjedhor. Në këtë proces, Kolegji nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit sepse nuk ja njeh Kushtetuta. Është një truk procedurial për të justifikuar paligjshmërinë dhe një përpjekje për të ndërtuar një operacion propagandistik për të anatemuar vendimin e Kreut të Shtetit dhe nuk prek aspak dekretin Ky vendim është marrë nën shantazhin e mazhorancës”, deklaroi presidenti Meta.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës shtoi se zgjedhje në 30 qershor ligjërisht nuk do të ketë dhe nëse mbahen nuk do të plotësojë standardet.

“Zgjedhje të tilla nuk plotësojnë standardet e kritereve të Kopenhagenit dhe do të dënoheshin nga organizatat për të drejtat e njeriut. Nuk kam anuluar zgjedhjet në asnjë ambasadë, por në Republikën e Shqipërisë. Zgjedhje ligjërisht në Shqipëri në 30 qershor nuk ka dhe nuk do të ketë”, u shpreh presidenti.

“Ka vetëm një institucion që vendos për datën e zgjedhjeve, ky është Presidenti i Republikës, as kuvendi as një institucion tjetër. Kjo vendimmarrje synonte që të iu krijonte palëve një mundësi reflektimi dhe hapësire për të dialoguar për një zgjidhje në funksion të interesit kombëtar dhe agjendës së përbashkët evropiane të Shqipërisë”, arsyetoi vendimin e tij Meta.

Në fund të deklaratës Ilir Meta siguroi se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit dhe se nga institucioni i Presidencës do të nisë ringritja e Republikës.

Të ngjashme