Sllovenia kërkon hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut deri në tetor

Prishtinë | 06 Kor 2021 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, thotë se Bashkimi Evropian duhet t’u mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të ecin përpara me bisedimet për anëtarësim deri në tetor.

“Ne e dimë që Bashkimi Evropian hedh hapa të mëdhenj përpara kur përqendrohet në diçka”, tha kryeministri Janez Jansha në një konferencë me gazetarë.

Ai u shpreh se dy vendet mund të përparojnë në rrugëtimin evropian nëse të gjithë punojnë në këtë drejtim.

“Ne e dimë që Bashkimi Evropian hedh hapa të mëdhenj përpara kur përqendrohet në diçka”, tha kryeministri Janez Jansha në një konferencë me gazetarë. “Nëse e vëmë lartë në rendin e ditës, do të jemi në gjendje të hedhim hapa konkretë përpara. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të përparojnë në samitin e ardhshëm në tetor nëse të gjithë përqendrohemi në atë”, tha ai në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Takimi i nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është caktuar për datën 6 tetor në Slloveni. Kryeministri slloven e ka shpallur Ballkanin Perëndimor përparësi të kryesimit gjashtë mujor të BE-së.

Ai u tha eurodeputetëve se nëse Bashkimi Evropian nuk shënon përparim në angazhimin e tij në Ballkan, “këtë do ta bëjë dikush tjetër me vlera dhe interesa të tjera”.

Franca, Holanda dhe Danimarka janë ndër vendet e BE-së të ‘kujdesshme’ për procesin e “zgjerimit të BE”, pas asaj që shumë besojnë se ishte anëtarësim i shpejtë i Rumanisë dhe Bullgarisë së dërmuar nga korrupsioni në vitin 2007. Shqipëria shihet gjithashtu si një nga vendet e korruptuara të Evropës që nuk ka arritur të luftojë pastrimin e parave.

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbajti të hënën një takim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit në përpjekje për t’i dhënë frymë të re politikës së zgjerimit. Ajo tha se i sheh gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme në Bashkimin Evropian “për arsye strategjike”, një këndvështrim që u mbështet nga kryeministri Jansha.

“Në Evropë, ekziston një mëdyshje nëse zgjerimi është me rëndësi strategjike apo jo. Mendimi im është se po”, tha ai, duke theksuar se se BE-ja është tkurrur pas largimit të Britanisë së Madhe. Ai gjithashtu tha se BE-ja qëndroi duarkryq ndërsa Rusia u vu në përpjekje për të penguar Gjeorgjinë dhe Ukrainën që të bashkohen në bllokun me 27 anëtarë.

Mosmarrëveshjet mes Sofjes dhe Shkupit lidhen me historinë dhe gjuhën. Bullgaria kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakice maqedonase në Bullgari. Po ashtu kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.

Të ngjashme