Kompania kryesore e gjigantit të kërkimeve në internet Google, Alphabet arriti për herë të parë vlerën prej një trilion dollarë në treg, duke u bërë kompania e katërt e teknologjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që arrin një nivel të tillë.
Aktualisht Apple është kompania më e vlefshme në Shtetet e Bashkuara, me një vlerë tregu prej 1.4 trilion dollarë, ndërsa Microsoft vlen gati 1.3 trilion. Kjo është gjithashtu hera e parë që tre kompani amerikane vlejnë të paktën një trilion dollarë në të njëjtën kohë, përcjell Telegrafi.
Megjithatë për momentin, kompania më e vlefshme në planet është gjiganti i naftës Saudi Aramco, i cili muajin e kaluar deklaroi se kishte tejkaluar objektivin e saj prej dy trilionë dollarë dhe aktualisht vlen 1.8 trilion dollarë.
Nga ana tjetër, në radhët e gjigantëve të tjerë botëror, Amazon që tani vlerësohet me rreth 930 miliardë dollarë, ishte firma e dytë amerikane që arriti ndonjëherë nivelin e një trilion dollarëve në muajin shtator 2018. Por, në atë kohë, Apple ishte përsëri e vetmja kompani me një vlerësim tregu më të lartë se një trilion dollarë.
Por përveç kompanisë në fjalë, edhe pjesa tjetër e sektorit të teknologjisë, si dhe tregu i gjerë, po rritet shumë falë optimizmit në lidhje me fazën e parë të marrëveshjes tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, si dhe fitimeve të forta të tremujorit të katërt në shumë nga bankat më të mëdha.