Grajqevci-Pllana: 34 milionë euro borxhe të vjetra ndaj KPMM-së, gjysma e tyre janë nga Trepça

Prishtinë | 01 Mar 2022 | 15:01 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

34 milionë euro është borxhi ndaj Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale i kompanive që operojnë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur kryesuesja e bordit të këtij institucioni, Selvete Grajqevci-Pllana, para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Ajo ka thënë se këto janë borxhe të vjetra ndërsa ka theksuar se sfida më e madhe e tyre mbetën kompanitë që i shfrytëzojnë ilegalisht mineralet e Kosovës.

Ajo ka thënë se gjysma e borxheve janë nga Trepça.

“Të çështja e kthimit të borxheve, ne bordi i ri jemi ulur disa herë e kemi shqyrtuar çështjen e kthimit të borxheve sepse është çështje që na brengosë shumë. Në bazë të dhënave që kemi nga departamenti i financave, para dy-tre ditësh i kemi marrë të dhënat, janë 34 milionë borxhe të evidentuara, borxhe të vjetra, prej tyre gjysma janë Trepça, si pjesa veriore si pjesa Stantërgu, Artana, kanë borxhe në KPMM. Lidhur me këtë çështje e kemi njoftuar edhe qeverinë, edhe ndërmarrjet por ende nuk kemi ndonjë lëvizje, por të evidentuara i kemi këto”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka pyetur sesi është e mundur që pas këtyre borxheve, ende ata kanë licenca. Ndërsa ka pyetur edhe për bashkëpunimin me institucionet e sigurisë.

 “17 milionë euro borxh i kanë kompanitë të cilat dalin reklamojnë, shiten si të ndershëm në shoqëri, i kërkojnë shtetit detyrime, marrin kontrata në publik, marrin në “Ibër” atje, marrin këtu, shkatërrojnë natyrën. Edhe po e shkatërrojnë natyrën edhe i kanë shtetit borxh, për këtë na duhet indikatori i performancës. E dyta kallëzimet penale në bazë të listës që ma keni dërgu ju, ju keni bërë kallëzim penale i kini diku rreth 50 apo 60 kallëzime penale. A nuk është indikator edhe bashkëpunimi me policinë, organet e rendit për me u siguru”, pyeti Muja.

Ndërsa Grajwvci-Pllana, tha se problemin më të madh ky institucion e ka me kompanitë që veprojnë ilegalisht. Tha se edhe dënimet që shqiptohen nga Gjykatat janë minimale.

“Problemin më të madh, sfidën më të madhe që KPMM e ka me kompanitë që veprojnë ilegalisht. Shfrytëzojnë mineralet e Kosovës edhe dënimet që jepen prej gjykatave janë shumë qesharake 200 euro, 300 euro, nuk është masë që jep rezultate për me i ndëshku ato kompani. Kemi tentu disa herë edhe unë kam qenë prezent me bë një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës për mos me i dhanë tenderë ndërmarrjeve që kanë verime ilegale, që nuk kanë licenca nga KPMM. Po nuk e kemi arrit një marrëveshje të duhur  për me ja ndërpre aktivitetin”, tha ajo.

Grajqevci-Pllana ka deklaruar se KPMM nuk lëshon licenca nëse një ndërmarrje ka borxh në ATK.

“Me Administratën Tatimore jemi në bisedime që ndërmarrjet që kanë borxhe edhe atje të ndëshkohen edhe prej KPMM-së edhe prej aty. Ne nuk lëshojmë licenca sot nëse ndërmarrja e bjen vërtetimin se ka borxhe në Administratë Tatimor, po mundohemi me bë ndërlidhjen e të gjitha institucioneve në sektorin minerar”, ka thënë ajo.

Të ngjashme