“Gratë po vriten”, armëmbajtja konsiderohet mjet i rrezikshëm – Qeveria të punojë më shumë në këtë drejtim

Prishtinë | 19 Pri 2024 | 08:45 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vrasja e Erona Coklit me armë nga ish-bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj dhe vrasja e Gjyljeta Ukellës në Pejë me armë po nga bashkëshorti i saj tronditi vendin, e që fatkeqësisht arma u bë shkak i vdekjes së dy grave.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, për Ekonomia Online tha se numri i armëve që qytetarët posedojnë në duart e tyre është shumë i madh dhe shumica e tyre janë ilegale. 

“Çështja e prezencës së armëve te qytetarët është një temë që është diskutuar që nga lufta më tej është bërë vazhdimisht që këto armë të zvogëlohen pra sa më pak qytetarë të kenë armë prezentë, mirëpo fatkeqësisht e vërteta është e tillë, që ka shumë armë nëpër duar të qytetarëve dhe shumica e këtyre armëve janë absolutisht në mënyrë ilegale”, tha ai.

Qalaj, shtoi se mbajtja e armëve nga qytetarët po bëhet problem në shoqërinë kosovare dhe trajtimi i saj nuk duhet të behet vetëm me anë të Policisë dhe Prokurorisë, duhet implementuar një çasje më ndryshe ndaj kësaj dukurie.

“Sa i përket çështjes së këtyre dy rasteve të vrasjeve, që janë shumë raste të femrave të grave të motrave tona, mendoj që janë raste të tmerrshme të cilat i kemi bërë problem në shoqëri. Mendoj që shoqëria jonë duhet të avancojë, nuk mund të bëhet vetëm me metoda respresive, nuk mund të bëhet vetëm me anë të Policisë dhe Prokurorisë, ne si shoqëri duhet të qasemi krejtësisht ndryshe ndaj kësaj dukurie, që fatkeqësisht është bërë dukuri”, tha ai.

Ndërsa, një aspekt që do ta bënte një ndryshim, sa i përket këtij fenomeni në shoqëri, Qalaj tha se duhet forcuar siguria në të gjitha ndërtesat dhe hapësirat publike.

“Mendoj se të gjitha institucionet që i ka Republika e Kosovës duhet të forcojnë sigurinë, sidomos në hyrje të tyre flas edhe në ndërtesën ku jemi sot, në Parlament, mendoj që çështja e trajtimit të sigurisë nuk është në nivelin e duhur po ashtu mos të flasim për institucionet tjera sidomos për në Qendra për Punë Sociale. Aty nuk mund të themi se ka siguri sa i përket hyrjes, pra ato roje nëse ekzistojnë janë vetëm formalisht, mirëpo nuk ka ndonjë procedurë të mirëfilltë të kontrollimit të personave që mund të hyjnë aty. Çdo objekt është shumë i rëndësishëm dhe mendoj se çdo objekt duhet të ketë siguri në këtë fushë ajo siguri duhet të jetë sa më strikte, ndërsa sa i përket çështjes së armëve pa leje, ne prapë duhet të bëjmë shumë kampanja, shumë aktivitete që të zvogëlojmë sa më shumë këtë çështje”, tha Qalaj për EO.

Eksperti i Sigurisë, Avni Islami, deklaroi për Ekonomia Online se sa i përket armëmbajtjeve pa leje, që nga përfundimi i luftës ka armë që ende nuk janë dorëzuar nga qytetarët dhe kritikoi Qeveritë, për faktin se nuk kanë punuar edhe aq shumë në këtë drejtim.

“Të gjithë ata të cilët bartin armë pa arsye dhe pa leje të veçanta, ata janë persona potencialisht të rrezikshëm që në momente të caktuara të kryejnë vepra të rënda penale. Kështu që duke ditur se Kosova para 24 viteve është një vend i dalë nga lufta dhe konsiderohet se është paralelisht me të dhëna tjera të Ballkanit që ka një numër të madh të armëve pa leje, pastaj kemi të bëjmë me armë luftarake të cilat nuk janë dorëzuar dhe në këtë drejtim secila Qeveri që ka qenë, ka punuar por jo mjaftueshëm dhe besoj që edhe tani duhet më tepër të punohet që të bëhet sensibilizimi i opinionit përmes mekanizmave shtetëror dhe organizatave të ndryshme jo qeveritare, nëpër shkolla familje, nëpër media të gjitha të përdoren që armëmbajtja pa leje është e rrezikshme”, tha ai.

Islami e vuri në shënjestër rrezikun që secili qytetarë që posedon një armë është një njeri potencial që mund të kryejë një vepër penale, derisa theksojë se këto armë duhet të dorëzohen.

“Të gjithë duhet të punojmë në mënyrë që armët të dorëzohen, të gjejnë mënyra qoftë edhe duke i inkurajuar që të ndërrojnë armët me gjësende të tjera dhe të dorëzohen këto armë sepse kemi parë rastet e fundit ekzekutimin në vendin e punës të një punëtoreje pastaj para disa ditëve kemi pasur edhe një vrasje tjetër dhe armë mbajtja pa leje është vepër penale, por e theksoj edhe njëherë dhe secilin që e ka një armë të tillë është njeri potencial i cili mund të kryejë vepër penale qoftë në individ po edhe në masë.  Kosova është një vend i dalë nga lufta dhe paralufte kemi pasur një armik i cili ka qenë dhe është dhe mbetet armik i Kosovës e secila familje ka konsideruar që ta mbrojë pragun e shtëpisë,  mirëpo tash kur i kemi institucionet e sigurisë së Kosovës, kur e kemi Policinë e Kosovës kur është ushtria, pastaj KFOR-i dhe agjencitë tjera të sigurisë nuk është e nevojshme që të lihen armët luftarake ose armët të cilat duhet që të merret leja për to, mirëpo në këtë drejtim nuk do duhej që ato armë të lihen në duar të njerëzve jo kompetent”, tha Islami.

Ndërsa, sa i përket Policisë së sa është e angazhuar për të konfiskuar armët, eksperti i sigurisë, tha se Policia ka punuar, por Qeveria është ajo e cila duhet të bëjë një lloj sensibilizimi të opinionit në mënyrë që qytetarët t’i dorëzojnë armët.

“Në secilat periudha, Policia e Kosovës ka punuar në atë drejtim, mirëpo Policia nuk mund të shkojë në secilën shtëpi, sepse nuk e di se secila shtëpi ka armë, mirëpo po e ritheksojë edhe njëherë që është e rëndësishme, duke filluar nga familja e shoqëria, shkollat, nga organizatat jo qeveritare, duke investuar dhe qeveria sidomos, sensibilizimi i opinionit çon në mënyrë vullnetare të dorëzohen armët sepse të gjithë duhet ta dimë se armë mbajtja pa leje është një akt i pa precedent dhe është i rrezikshëm”, tha Islami për EO.

Të ngjashme