Guardiola shpreson për eliminimin e Liverpoolit nga Liga e Kampionëve

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Trajneri spanjoll i Manchester Cityt, Pep Guardiola, nuk dëshiron ta përjetojë dominimin anglez në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, pasi ka bërë të ditur se është duke e mbështetur Bayern Munichun për ndeshjen kundër Liverpoolit.

Skuadra e Guardiolës e siguroi mbrëmë një vend në çerekfinale, pasi e shkatërroi Schalken me rezultat 7:0. Rezultati i përgjithshëm i ndeshjes, 10:2, është disfata më e madhe e shkaktuar në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Kampioni në fuqi i Premierligës tani i bashkohet Tottenhamit dhe Manchester Unitedit si tre nga gjashtë çerekfinalistët e konfirmuar të këtij sezoni. Liverpooli mund ta sigurojë po ashtu kualifikim sonte, në ndeshjen kundër Bayern Munichut.

Liverpooli dhe Manchester City janë në garë për titullin e Premierligës këtë sezon dhe vetëm një pikë i ndanë këto dy skuadra. Rivaliteti i tyre vazhdon edhe në Ligën e Kampionëve, pasi që Guardiola zbuloi se është duke e përkrahur ish-klubin e tij, Bayernin, për ndeshjen kundër Liverpoolit.

“Më vjen keq për qytetarët anglezë, por unë dua që Bayerni të kualifikohet. Unë jam pjesë e këtij klubi, i kisha tre sezone fantastike atje. E dua Munichun dhe kam shumë shokë atje”, ka thënë Guardiola.

“Është një ndeshje shumë kërkuese për të dy, por mua më pëlqen Bayerni dhe shpresoj se ata do të kualifikohen. Sa i përket asaj që ka ndodhur me klubet spanjolle dhe gjermane, duke arritur shumë herë deri në finale, ky sezon është një surprizë”.

“Shpresoj se Barcelona do të mundë të kualifikohet nesër kundër Lyonit dhe t’i arrijë çerekfinalet. Për futbollin anglez është mirë që janë tri ekipe në fazën e radhës, e ndoshta edhe Liverpooli”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme