Gushti i politikës

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 23:59 | Nga Arben Fetoshi

Gafil, heshtje varri dhe shumë zhurmë vijash të kuqe në prag gushtin e vapës politike të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme duken afër, por edhe mund të shtyhen nga një zgjidhje “magjike”, ndërkohë që televizionet vlojnë nga shpërfaqja e “gjenialitetit” të tylyfar politikani e analisti teksa tregojnë kush me kë duhet të bëjë koalicion, kush s’duhet në asnjë mënyrë e kush do të ishte shpëtimtari.

E di që s’keni durim të lexoni gjatë dhe prandaj s’po e zgjas shumë, ama shumë të gërditshme vazhdojnë të jenë pallavrat e politikanëve që ndryshojnë qëndrim aq shpesh sa çorapet dhe të analistëve KFE (kah të fryn era). Në vend të emisioneve dhe intervistave me politikanë gjatë gushtit, shmangni maksimalisht ato, shijoni pushimet dhe çmalluni me të afërmit që kanë ardhur nga gjithë bota, sepse kështu do ta mbroni e besa edhe përmirësoni shëndetin. Të njëjtat muhabete keni me i dëgju edhe në shtator, gjatë fushatës zgjedhore.

E kur të kryhen zgjedhjet, nëse do të caktohen ndërkohë (për kah mesi i shtatorit), shumë prej këtyre pallavrave do t’i dëgjoni ndryshe prapë, dikush për shkak të ndërkombëtarëve e dikush për hir të Kosovës (si Behgjeti herën e kaluar, s’di a po ju kujtohet!).
Zhurma e sotme dhe arsyetimet e nesërme s’kanë qëllim tjetër veç vetvetes, vazhdimit të manipulimit tuaj për vazhdimin e privilegjeve të tyre, prandaj mos ia jepni Gushtin politikës, mbajeni për vete dhe pushoni për të mirën e shëndetit tuaj.

Ata prapë do t’i keni, do të vijnë si lypës tinëzarë, sepse do t’ju braktisin sërish pas ditës së zgjedhjeve.

E mediat, nëse vërtet duan të jenë e mirë publike, do të bënin mirë ta freskojnë më shumë përmbajtjen dhe të na kursejnë nga terrori politikanesk i kësaj vere.

Të ngjashme