Guvernatori Mehmeti në takim me presidenten Osmani, foli për progresin në sistemin financiar

Prishtinë | 31 Maj 2021 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti u prit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me zhvillimet në sistemin financiar dhe progresin e arritur në këtë fushë. Vëmendje e veçantë iu kushtua masave të ndërmarra në mbështetje të ekonomisë së vendit gjatë periudhës së pandemisë, masa këto të cilat u treguan efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroekonomik.

Njëherësh, Guvernatori Mehmeti e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me zbatimin e kërkesave dhe rekomandimeve që dalin nga raportet e institucioneve ndërkombëtare me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar të vendit.

Në takim u theksua rëndësia e stabilitetit financiar për zhvillimin dhe stabilitetin e ekonomisë së vendit, duke vlerësuar lart masat mbështetëse gjatë periudhës së krizës pandemike. Gjithashtu u potencua rëndësia e ofrimit të shërbimeve cilësore me kushte të favorshme për qytetarët nga ana e sistemit financiar dhe njiherit u ofrua përkrahje për institucionet e pavarura, që të veprojnë në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme