Guvernatori Mehmeti: Rritja ekonomike për këtë vit është rreth 3.7%

Prishtinë | 28 Sht 2022 | 13:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit është rreth 3.7%, përderisa vitin e kaluar rritja ishte mbi 10%, raporton Ekonomia Online.

Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet tha se si institucion po arrijnë ta ruajnë sistemin bankar, përkundër sfidave globale. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar ka pasur 1.5 miliard euro remitanca.

“Ky raport përmban një përmbledhje gjithëpërfshirëse të aktivitetit të BQK-së për vitin 2022 duke pasqyruar me fokus të dhënat dhe treguesit më të rëndësishëm të sektorit financiar të vendit për vitin përkatës”, tha Mehmeti.

“Përkundër rrethanave globale, sipas ASK-së, ekonomia kosovare ka shënuar rritje prej 10 për qind. BQK-ja me sukses ka arritur të përmbushë rolin e saj kushtetues dhe ligjor përmes vendimmarrjes profesionale të bazuar në standardet e parimet e qeverisjes korporative, pavarësisë dhe llogaridhënies”, tha Mehmeti.

Ditë më parë, Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, Kosova vitin e kaluar ka pasur rritjen më të madhe në rajon.

Dhe sipas tij, ky trend i mirë, po vazhdon edhe sivjet. Sipas “të dhënave” të Kurtit, në çerekun e parë të këtij viti rritja ekonomike është 4.9%.

“Sot u bënë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë. Përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike”, thuhej në postimin e Kurtit.

Ndërkohë një këshilltar i sapopunësuar i ministrit të Financave, ka shkuar edhe më tej me “prognozën e tij optimiste”. Sipas tij, “Kosova do të jetë ekonomia me rritjen më të madhe ekonomike në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Shqetësim për rritjen e normave të interesit nga bankat komerciale

Anëtarët e Komisionit për Buxhet patën kritika për rritjen e normave të interesit nga bankat komerciale dhe operimi i bankave me valuta të dinarit.

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci adresoi kritika rreth paralajmërimeve për rritje të çmimit të kredisë ekzistuese.

Ajo tha se përkundër rritjes së profitit neto e zvogëlim të kredive joperformuese, paralajmërohet rritje e interesit në kredi të reja dhe ekzistuese, e cila sipas saj do e rrisë koston e jetesës së ekonomive familjare dhe bizneseve.

“Vetëm në shtatë muajt e vitit 2022, ka një profit rreth 83 milionë euro fitim neto, që duke e krahasuar me vitin paraprak ka qenë 66 milionë euro. Pra shohim se ka rritje të profitit pa i prekur normat e interesit. Tek kreditë joperformuese po shkojnë në rënie, pra deri në korrik të këtij viti është 2.1 për qind norma e kredive, kurse në vitin paraprak ka qenë 2.6. Nëse shkojmë te depozitat, e shohim se janë rrit, ku në vitin 2022 i kemi rreth 5 miliardë euro depozita ndërsa në vitin paraprak ka qenë 4.5 miliardë”, tha Statovci.

Ajo tha se paralajmërimi për rritje të interesit për kreditë ekzistuese dhe ato të ardhshme është e dëmshme për ekonominë familjare, bizneset e vogla dhe të mesme.

“Thuhet që BQK-ja ka paralajmëruar rritje të interesit që do t’i prekë kreditë e ardhshme, por edhe kreditë ekzistuese. Nëse i analizojmë disa prej indikatorëve, shohim se ky është një sektor me një profit pozitiv dhe të lartë. Vetëm në shtatë muajt e vitit 2022 ka profit neto diku 83 milionë, që krahasim me vitin e kaluar ka qenë 66.3 milionë. Kjo ndodh pa e prek normën e interesit, mirëpo vetëm përmes lëvizjeve që kemi diskutuar që kanë të bëjnë me tarifat dhe ndryshimet e çmimeve të sistemit bankar”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur komentit të deputetes së mazhorancës, guvernatori Mehmeti tha se janë duke punuar që të ruhet norma e tanishme e interesit. Mirëpo sipas tij, Kosova është ekonomi e hapur, ku oferta dhe kërkesa përcaktojnë çmimet.

“Jemi duke punuar në drejtim të asaj që të ruajmë normën e interesit, por ju e dini se Kosova është ekonomi e hapur edhe me Kushtetutë, ku oferta dhe kërkesa janë ato që përcaktojnë çmimet”, shtoi Mehmeti.

Pikërisht për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve, deputeti i PDK-së, Ferat Shala kërkoi hapa konkret nga BQK-ja.

“Në raport thuhet se BQK-ja mbetet e kufizuar në marrjen e politikave për efekte të stabilizimit të çmimeve. A mund të na thoni pse e keni këtë përkufizim që keni probleme në marrjen e hapave të tjerë në politikave e stabilizimit të çmimeve”, tha ai.

Pal Lekaj deputet i AAK-së, tha se me ngritjen e interesit bankar po mbytet qytetari.

“Nëse flasim për relacionin qytetarë-bankë, mendoj se këtu çalon monitorimi i juaj. Norma e interesit në mikro-financa është shumë i lartë dhe nuk mund të thuani se këtu nuk mund të ndërhyni. Te garancionet bankare mendoj që BQK ka dështuar sepse në shumicën e rasteve nuk përgjigjen, dhe kush pëson më shumë është institucioni dhe bankat komerciale. Me ngritjen e interesit bankar mendoj që këtu duhet që të bëhet një zgjidhje sepse BQK është rregulluese dhe e them këtë se e kemi mbytur qytetarin”, tha Lekaj.

E deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se bujqit dhe familjet me kushte të vështira po i vuajnë më shumë normat e larta të interesit.

“Bujqit dhe familjet e varfëra janë ata që po i vuajnë rritjen e kamatave. Po marrin kredi në bankat mikro-financiare, që kanë një normë të interesit shumë të lartë. Ka bujq që marrin kredi dhe nuk mund t’i rikthejnë me kohë, dhe bujqit në momentin që i marrin subvencionet i paguajnë kreditë. Me keqardhje e them se shumica e subvencioneve shkojnë në mbulim të kredive”, tha Hoti.

Tutje Hoti foli edhe për pagesat që kryhen me dinarë dhe qytetarët që i marrin pensionet me këtë valutë.

“Kemi banka që kryejnë para me dinarë, pra janë në veri të vendit dhe në Graçanicë dhe kemi qytetarë që marrin pensione me dinarë. Po kërkoj ta di se cila është metoda e juaj për ta ndaluar këtë”, tha Hoti.

Se pagesat e tilla kryhen me dinarë, e konfirmoi vetë guvernatori i BQK-së.

“Një bankë komerciale është e licencuar kohë më parë dhe tash kjo bankë është shitur në NLB Banka dhe sa i përket pagesave që ndodhin me dinarë, mund të jenë në pjesën veriore dhe në Graçanicë. Kur dimë për këto raste ne e njoftojmë Policinë e Kosovës dhe ata i marrin masat e tyre”, tha ai, ndërsa kërkoi që për këtë çështje të diskutohet pa praninë e medieve.

Të ngjashme